Çështja penale në ngarkim të bashkisë Kuçovë dhe kryebashkiakut Kreshnik Hajdari që akuzohet nga banorët për “Shpërdorim Detyre” dhe “Shkatërrim të Monumenteve të Kulturës”, çështje që po shqyrtohet prej 4 muajsh në Gjykatën Administrative, ka sjellë sot në zonën e Sinecit për konstatim ekspertët e Gjykatës Administrative.

Dy ekspertët e kontratuar nga Gjykata Administrative e Vlorës, të shoqëruar nga palët (përfaqësues ligjor të bashkisë Kuçovë dhe banorëve të Lumasit),kanë mbërritur mesditën e sotme në zonën e Sinecit.

Ekspertët kanë konstatuar se çfarë punimesh janë kryer në zonë të mbrojtur, ndërkohë që kanë kryer edhe matjen e sasinë së ujësjellësve ekzistues dhe sasinë e burimit ujor që del në zonë të mbrojtur.
Pas kontarimeve të kryera, ekspertët e Gjykatës Administrative Vlorë do të dalin me një akt-konstatimi, që do i përcillet gjykatës në seancën gjyqësore të 23 Shtatorit. Çështja penale e banorëve të Lumasit është regjistruar në Gjykatën Administrative Vlorë në javën e parë të muajit Korrik dhe është shtyrë 3 herë.

Banorët e fshatit Lumas kanë kallzuar penalisht bashkinë Kuçovë dhe kryebashkiakun Kreshnik Hajdari për “Shpërdorim Detyre” dhe “Shkatërrim të Monumenteve të Kulturës”. Në kallëzimin penal të banorëve thuhet se, bashkia e Kuçovës ka shkelur në mënyrë kriminale ligjin, pasi ka dhënë në mënyrë të paligjshme lejes së shfrytëzimit dhe lejen e ndërtimit në zonat e mbrojtura, siç është kanioni i Sinecit. Sipas banorëve, bashkia e Kuçovës nuk ka leje nga basenet ujore, nuk ka leje për të ndërhyrë në brigjet lumore dhe ka ndërhyrë në zonë të mbrojtur duke shkatërruar dhe ndërtuar betone. I pranishëm në inspektimin në zonë, ambjentalisti Sazan Guri ka deklaruar se, ajo që është kryer në zonën e Sinecit është një masakër mjedisore e vërtetë dhe shteti duhet të marrë masa. Avokati i banorëve Arben Llangozi ka deklaruar se, mos prania ditën e sotme e gjyqtarit të çështjes në Sinec, sipas vendimit të dhënë nga vetë ai, tregon njëanshmërinë e kësaj gjykate në gjykimin e kësaj çështjeje.

Llangozi ka deklaruar se ditën e nesërme do të depozitojë pranë Gjykatës Administrative Vlorë kërkesën për shkarkimin dhe ndryshimin e gjyqtarit të çështjes.
Edhe njëri prej banorëve ka shprehur pakënaqësinë në lidhje me mënyrën e inspektimit të kryer ditën e sotme nga ekspertët e gjykatës. Ai ka deklaruar se qëndresa e tyre nuk do të ndalojë për të ruajtur të paprekur burimin e Sinecit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb