Ekspertët e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se dhuna nga kolonët hebrenj kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar është rritur ndjeshëm muajt e fundit dhe se kriminelët kanë mbetur pa u ndëshkuar.

Në një deklaratë me shkrim, një grup ekspertësh për të drejtat e njeriut, përfshirë Raportuesin Special të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Palestinën, Michael Lynk, reaguan ndaj sulmeve të kolonëve hebrenj kundër palestinezëve.

Zyra e Koordinimit të Çështjeve Humanitare të OKB-së dokumentoi 771 incidente të dhunës së kolonëve hebrenj vitin e kaluar në rajone si El-Halil, Kuds, Nablus dhe Ramallah, thuhet në deklaratë, ndërkohë që në këto incidente 133 palestinezë u plagosën, 9.646 pemë dhe 184 automjete u dëmtuan.

Ndërkaq, në tre muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar më shumë se 210 raste të dhunës së kolonëve, të cilat kanë rezultuar në vdekjen e një palestinezi.

“U bëjmë thirrje ushtrisë dhe policisë izraelite t’i hetojnë dhe ndjekin fuqishëm dhe me vendosmëri këto veprime të dhunës”, kanë deklaruar ekspertët e OKB-së.

Në deklaratë theksohet se kolonët hebrenj janë të motivuar ideologjikisht për dhunë dhe se ata duan t’i uzurpojnë tokat e palestinezëve dhe në të njëjtën kohë t’i frikësojnë dhe terrorizojnë ata.

“Nuk kursehen gratë shtatzëna dhe fëmijët”

Deklarata thekson se dhuna e kolonëve hebrenj vazhdon të shënjestrojë gratë shtatzëna, fëmijët dhe të moshuarit.

Ekspertët paralajmëruan se dhuna nga kolonët hebrenj ndaj civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar është rritur ndjeshëm në muajt e fundit, duke reaguar kundër mosndëshkimit të kriminelëve.

Bregu Perëndimor i pushtuar po përballet me sulme në rritje nga kolonët hebrenj ndaj palestinezëve dhe aktivistëve.

Ekzistojnë më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Më shumë se 400.000 kolonë hebrenj që banojnë në këto vende e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim në Bregun Perëndimor.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje të vendosura në territoret e okupuara palestineze konsiderohen të paligjshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb