Një vendim i qeverisë për të dhënë me qira objektet e trashëgimisë kulturore te sektori privat ka shqetësuar ekspertët, të cilët kanë frikë se monumentet historike do të dëmtohen dhe do të zhvishen nga identitetet e tyre.

Plani i Ministrisë së Kulturës në Shqipëri për të dhënë me koncesion me afat deri 20 vjet monumentet e ndryshme të kulturës ka shkaktuar debat të ashpër mbi rrezikun e dëmtimit të objekteve historike.

Disa ekspertë të trashëgimisë kulturore thonë se vendimi nuk është transparent dhe është marrë pa debatin e duhur. Ata kanë frikë se dhënia me qira mund t’i dëmtojë monumentet, siç ka ndodhur në të shkuarën.

Dhënia me qira e kështjellës mesjetare të Petrelës në Tiranë dhe Lëkursit në Sarandë në fillim të viteve 2000 u cituan si shembull i keq i partneritetit publik-privat, i cili ka sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore dhe historisë.

Auron Tare, një ekspert mbi trashëgiminë dhe anëtar i Bordit Shkencor Këshillues i UNESCO, i tha BIRN se monumentet shqiptare nuk duhet të pësojnë fatin e Petrelës dhe Lëkursit.

“Ato nuk janë më kështjella, por vetëm restorante. Askush nuk mund të mësojë nga historia e tyre nëse i vizitojnë tani,” tha ai.

Gjithsesi, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se vendimi pasoi një studim dyvjeçar të situatës së monumenteve në Shqipëri.

“Partneriteti publik-privat është një nga mënyrat për të administruar asetet kulturore… dhe vendimi ynë mbi këtë çështje është më i kujdesshëm se sa ato të ministrave të mëparshëm,” argumentoi Kumbaro.

Tare tha se ai nuk qe kundër partneritetit publik-privat për monumentet e kulturës në parim, por sipas mendimit të tij, Shqipëria nuk është ende gati për diçka të tillë.

“Vendi ende nuk ka praktika të mira dhe mekanizmat e kontrollit shtetëror mbi sektorin privat janë shumë të dobëta. Ne nuk kemi gjithashtu kompani private me eksperiencë në restaurimin e monumenteve,” tha Tare.

“Është e rëndësishme që të kemi një debat të hapur mbi këtë çështje që përfshin organizmat e turizmit, të tilla si stimulimi i turizmit përmes këtyre iniciativave. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë humbjen e identiteteve historike të këtyre monumenteve,” tha Tare.

Ai tha se do të qe më mirë që disa nga këto monumente të rrezikuara dhe të neglizhuara t’i rikthehen bashkësive fetare që i kanë ndërtuar.

“Bashkësitë fetare kanë të drejtën t’i administrojnë ato. Parapëlqej që këto objekte t’i jepen bashkësive fetare para se t’i kalohen menaxhimit privat,” tha ai.

Vasil Tole, kreu i grupit të punës i cili përgatiti ligjin për Trashëgiminë Kulturore më 2013, i tha BIRN se prioriteti është ruajtja e monumenteve dhe jo ndihma për bizneset private.

Ai tha se një listë e plotë e objekteve që kanë nevojë për restaurime duhet të hartohet para se të merret vendim për dhënien e tyre me qira.

“Përveç një liste të plotë të monumenteve, ne kemi nevojë të qartësojmë se çfarë llojesh biznesi mund të lejohen të marrin me qira monumentet – dhe të kufizojmë të tjerët që nuk duhet,” tha Tole.

Deri tani, vendimi i Ministrisë së Kulturës nuk specifikon se cilat monumente kanë nevojë për restaurim, apo se çfarë llojesh biznesi do të lejohet t’i marrin ato me qira.

Më 2014, ministria e drejtuar nga Mirela Kumbaro anuloi një vendim të dhënë nga qeveria e qendrës së djathtë të udhëhequr nga Sali Berisha për të dhënë me qira kalanë e Lezhës, një nga monumentet më të rëndësishme në vend. Vendimi për ta dhënë me qira qe i pabazuar në ligj dhe qe kryer në shkelje të procedurave, tha ministria.

(d.b/BIRN/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: