Kushti kryesor i negociatave Kosovë-Serbi që do të zhvillohen me 27 qershor në Washington DC duhet të jetë njohja reciproke mes dy vendeve. Deklarata vjen nga eksperti amerikan i zhvillimeve ndërkombëtare Alon Ben-Meir gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News 24. Alon Ben Meir ndër të tjera deklaron se SHBA duhet t’i kërkojë Serbisë gjatë këtyre bisedimeve në Washington DC që të heqë dorë nga fushata e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Serbia duhet menjëherë, në mënyrë urgjente të ndalë përpjekjet për të bindur ose mbushur mendjen vendeve të tjera që të tërheqin njohjen e Kosovës. Nëse Serbia vazhdon ta bëjë këtë, atëherë ajo tregon se në të vërtetë nuk ka interes për të arritur ndonjë marrëveshje për njohje reciproke. Ajo fushatë nga ana e Serbisë duhet të ndalojë menjëherë si parakusht për normalizimin e marrëdhenieve Kosovë Serbi” thekson Z. Meir.

“Ajo ku duhet të fokusohemi është parimi i njohjes reciproke dhe ky duhet të jetë objektivi që do të thotë se çdo lloj dialogu mes dy palëve duhet të bazohet në fund të fundit tek njohja reciproke. Përpara kësaj, përpos normalizimit të marrëdhënieve duhet të adresojmë ngjarjet e shkuara sepse deri më sot Serbia nuk e pranon atë çfarë ndodhi 20 vite më parë. Duhet të adresojmë dimensionin psikologjik mes dy palëve, për mënyren sesi ndihen sot qytetaret e Kosoves në aspektin psikologjik dhe si të zbuten këto pasoja psikologjike. Duhet të normalizojmë marrëdhënien mes njerëzve në një shkallë shumë më të madhe për të nisur një proces pajtimi social. Këto janë tre elementë jetike, por njohja reciroke është e domosdoshme dhe nuk duhet të ketë ndonjë shkëmbim territoresh”.

Eksperti amerikan Alon Ben Meir thekson se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i bëjnë shumë presion Kosovës në një kohë që Serbia ka patur një qëndrim më të vështire dhe të papajtueshëm përballë Kosovës. “Mendoj se ka presion dhe nuk mendoj se në këtë mënyrë arrihet paqja mes dy vendeve. Shtetet e bashkuara duhet të tregohen ndërmjetës neutrale dhe gjithashtu të këmbëngulin që Serbia të korrigjojë qëndrimin e saj dhe të adresojë të gjitha shkeljet e saj të të drejtave të njeriut. Gjithashtu duhet të adresohen edhe çështjet e tjera që ju përmenda më herët me parimin se rruga e normalizimit të marrëdhënieve të çojë drejt njohjes reciproke. Ky duhet të jetë themeli për çdo lloj negociate” thekson Alon Ben Meir për News 24. Eksperti amerikan nënvizon gjatë kësaj interviste se lojtari kryesor në negociata duhet të jetë Bashkimi Europian ndërsa Shtetet e bashkuara mund të ndihmojnë në etapat fillestare.

I pyetur nëse mendon se një marrëveshje mes Kosoves dhe Serbisë mund të ketë ndonjë ndikim në procesin elektoral amerikan, Z. Alon Ben Meir shprehet se kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë.

“Të them të drejtën, publiku amerikan nuk është shumë në brendësi me marrëveshjet ose mosmarrëveshjet mes Kosoves dhe Serbisë. Amerikanët janë shumë të zënë me coronavirusin, me procesin e zgjedhjeve dhe kjo është një çështje shumë e vogël për publikun amerikan dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim edhe nëse do të ketë ndonjë sukses në bisedime’ deklaron Alon Ben Meir për News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb