Eksperti Selami Xhepa tha në emisionin “Real Story”, në News24, se mbështet nismën e qeverisë për amnisti fiskale, pasi sipas tij, falja është hyjnore.

Eksperti theksoi se amnistia fiskale është pozitive edhe për ekonominë, ndërsa shtoi se për të bërë këtë amnisti duhet të kryhet një reformë e thellë në sistemin tatimor.

“Falja është hyjnore, sepse është e drejtë e njeriut të gabojë, dhe për pasojë duhet t’i njohësh të drejtën për të falur. Në këtë kuptim është parimore falja. Prandaj, shumë vende të botës e kanë kryer këtë amnisti fiskale, por duhet të shohim te motivet. Marrim rastin e Zvicrës, e cila e ka bërë katër herë, dhe vetëm dy herë e ka pasur të suksesshme. Kjo është një falje që shoqëria i njeh mëkatarët dhe iu njeh të drejtën që kanë gabuar. Në një vend që disiplina ndaj ligjit është zero ne inkurajojmë ata që shkelin ligjin.

Ne kemi bërë amnisti edhe më parë, deri më tani gjashtë, por kanë qenë të pjesshme, pasi nuk është dhënë konsensusi politik. Një motiv i dytë mund të jenë motivet ekonomike. Duke e futur në sistem, mund të prodhojmë më shumë. Por që ta bësh këtë, duhet të kryesh një reformë të thellë të sistemit tatimor. Këtë duhet ta bësh, kur thua që unë po bëj një sistem të ri tatimor, ndryshe nuk ka asnjë vlerë”, deklaroi eksperti Xhepa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb