I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ervin Resuli ekspert për bujqësinë dhe blegtorinë ka folur për kërkesat e fermerëve drejtuar qeverisë, protestat e tyre dhe për ndryshimet në paketën fiskale.

“Une në radhë të parë jam vet fermer. U bënë 3 vite që së bashku me shumë fermerë dhe blegtorë të tjerë kemi ngritur zerin ndaj padrejtësive në skema fiskale apo në mbështetjen që Ministria e Bujqësisë apo qeveria i ka dhënë apo jo fermerëve. Në këtë kuadër unë mbetem aktivist duke qenë edhe vet blegtor. Duke u marrë me një numër të gjerë fermerësh jemi bërë bashkë, personalisht nuk përfaqësoj asnjë lloj shoqate apo sindikate, përfaqësoj interesat e drejtpërdrejta të blegtorëve, të fermerëve ashtu siç jam edhe vet. Bujqësia dhe blegtoria në situatën që po flasim janë në situatë të vështirë, ku te dyja palët janë bërë bashkë për të dalë nga ky hall. Është e keqja që i ka bashkuar, pavarësisht se shoqatat e fermerëve dhe shoqatat e përpunuesve apo të grumbulluesve duhet të ishin në distancë nga njëra-tjetra. Kjo do të thotë se situata në bazë nuk është e mirë. Ne si blegtorë kemi paraqitur kërkesat tona pranë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë. Kemi bashkëpunuar për të qenë në një linjë me industrinë e përpunimit të qumështit, ka qene një koordinim. Nëse i referohemi të dhënave nga INSTAT kemi një përgjysmim të numrit të blegtorisë dhe nëse do vijojë me trend rënie, ky është një hall i shtuar edhe për pikat e përpunimit të qumështit.

Të ndodhur në këtë situatë, gjendemi në të njëjtën linjë, pasi fabrikat e qumështit pa lëndën e parë nuk punojnë dot, nuk zhvillojnë dot aktivitetin e tyre. Edhe bujqësia është në të njëjtën linjë. Protestat në themel janë të drejta dhe i bëjnë mirë shoqërisë, janë problematika që qëndrojnë. Shqetësim mbetet fakti se i pranojnë, por nuk japin zgjidhje. Duke parë shifrat e mbështetjes në rajon, ne jemi shumë larg tyre. Sindikata e fermerëve duhet të ishte e vetme në këtë protestë, pasi ata që u goditen të parët janë fermerët. Lidhja është zinxhir, në një ditë normale nuk do ndodhte ky bashkim. Ne dolem post-covid dhe qeveria apo Ministria e Bujqësisë nuk ka patur një mbështetje për fermerët apo biznesit, ndryshe nga rajoni, ndaj e keqja i bëri bashkë. Ndryshimet në paketën fiskale në këtë lloj krize, rikthimi i TVSH do të thotë ta ngarkosh akoma më shumë fermerin dhe pastaj tek konsumatori i cili i paguan të gjitha”-tha Ervin Resuli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb