TIRANË

Eksperti i ekonomisë në PD, shefi i kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për situatën ekonomike e sociale në vend duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për keqmenaxhim.

Teliti deklaroi se borxhi real publik është 97% e Produktit të Brendshëm Bruto duke përfshirë kontratat koncesionare dhe detyrimet e prapambetura.

Sipas ekspertit të PD-së, asnjëherë në historikun tonë 30-vjeçar nuk kemi pasur këto nivele të borxhit publik. Ai tha se për qytetarët shqiptarë, në gjithë menaxhimin e pandemisë qeveria shqiptare nxori nga paratë e taksapaguesve, nga buxheti i shtetit vetëm 100 mln euro, ndërsa nga ana tjetër ka një rritje të stokut të borxhit publik prej mbi 1 mld eurosh. Recesioni sipas Telitit do të jetë 9% më shumë se vendet e rajonit dhe më i madhi i 30 viteve të fundit, duke ia lënë të gjithë përgjegjësinë keqmenaxhimit të qeverisë.

Borxhi publik ka arritur në 80% të PBB, si e komentoni, sa e rrezikon ekonominë?
Qeveria deklaron shifrën 80% por nuk përfshin këtu kontratat koncesionare 13% dhe nuk përfshin këtu detyrimet e prapambetura, afërsisht në masën 3-4% të PBB-së. Pra, borxhi që qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare që operojnë në Shqipëri që kemi detyrim për ta paguar gjatë javëve, muajve dhe viteve të ardhshme është afërsisht në masën 97% e PBB-së. Ky është borxhi publik real.

Nëse qeveria vendos të mos i kontabilizojë ato dhe të mos i deklarojë ato është zgjidhje e vetë qeverisë shqiptare. Është shkelje e rregullave dhe parimeve të menaxhimit të financave publike, megjithatë opozita këtë detyrë ka, të bëjë transparencë dhe transparenca bëhet në bazë të shifrave. Këto janë shifra që bazohen në vetë deklarimet e qeverisë shqiptare.

Nuk jemi ne që kemi lidhur kontratat koncesionare në PPP, në shëndetësi, në rrugë, në inceneratorë etj, është qeveria shqiptare dhe vlerën e kontratave e ka firmosur ajo dhe sot ne kemi detyrim prej mbi 2 mld eurosh vetëm për kontratat PPP që ka lidhur kjo qeveri që është aktualisht fatkeqësisht ende në fuqi. Nuk i kemi krijuar ne detyrimet gjatë 7 viteve të fundit, është kjo qeveri që ka krijuar detyrime për punë të kryera që ende sot nuk denjon t’i paguajë, ndonëse sot më shumë se kurrë ka nevojë për likuiditet dhe është një instrument shumë i mirë për ta ushqyer biznesin dhe për ta ringritur sado pak, për të minimizuar sado pak efektet e pandemisë dhe tërmetit.

Do të ishte rruga më e mirë gjetja e resurseve financiare për të paguar detyrimet e prapambetura që qeveria vazhdon të mos i paguajë. Asnjëherë në historikun tonë 30-vjeçar nuk kemi pasur këto nivele të borxhit publik.

Si po ndikon ky borxh në menaxhimin situatës së pandemisë?
Instrumentet e huamarrjes janë instrumente që përdoren nga qeveritë për të financuar nevojat që ka. Është normale, në momentin që pandemia arriti në vendin tonë, ashtu siç arriti dhe në vende të tjera të Europës dhe Ballkanit, në momentin që ti ke reduktim të të ardhurave buxhetore si pasojë e faktit që u bllokuan ekonomitë, do vijnë më pak të ardhura në arkën e shtetit. Është gjithashtu normale që qeveria ka nevojë për para për të kryer funksionet e saj, për arsimin, për shëndetësinë, për bujqësinë dhe gjithashtu lind dhe sfida shtesë, sfida ekonomiko-sociale për t’i dhënë një ndihmë shtresave në nevojë dhe bizneseve në nevojë.

Çfarë duhet të bënte një qeveri e shëndoshë? Atë që kanë bërë shumë vende të botës. Së pari gjente burimet ekzistuese të brendshme, pra hiqte nga buxheti i 2020-ës çdo lloj shpenzimi që nuk ka lidhje me menaxhimin e dy sfidave, asaj shëndetësore dhe social-ekonomike dhe çdo lloj burimi që nuk ishte i destinuar për menaxhimin e këtyre dy sfidave në momentin e parë duhet të ngrinte financimi i tyre. Qeveria shqiptare nuk e bëri këtë, na deklaroi neve luftë, qytetarëve dhe bizneseve, ku njëkohësisht u soll si në kohë paqeje. Për ne qytetarët shqiptarë, në gjithë menaxhimin e pandemisë qeveria shqiptare nxori nga paratë e taksapaguesve, nga buxheti i shtetit vetëm 100 mln euro.

Nga 10 marsi deri sot, 5 muaj, ajo që ka paguar qeveria shqiptare është vetëm 100 mln euro. Nga ana tjetër ka një rritje të stokut të borxhit publik prej mbi 1 mld eurosh. Se si janë shpenzuar paratë dhe ku janë shpenzuar paratë për këtë duhet të japë llogari qeveria. Është normale që një pjesë e këtij borxhi prej 1 mld euro ka shkuar për të mbushur gropën nga tatimet e doganat por mungesa e të ardhurave në tatime dhe dogana nuk është 1 mld euro, në rastin më të keq ka për të shkuar gjysma e saj, pra në skenarin e vetë qeverisë shqiptare do të gjendemi përballë faktit që ka marrë gjysmë miliardi borxh shtesë për të na dhënë neve vetëm 100 mln euro. Pra na dha 1 lek, nga ana tjetër na ka vënë në kurriz një borxh 5 herë më të lartë që do ta paguajnë qytetarët shqiptarë.

Që të gjitha vendet do të kalojnë në recesion kanë për të kaluar. Që dhe PD dhe Lulzim Basha të ishte kryeministër, Shqipëria hapa mbrapa do të bënte por çështja është sa hapa mbrapa do bëjë ekonomia shqiptare. Sipas BERZH-it ne do të bëjmë 9 hapa mbrapa. Pra kemi një recesion prej 9%. Kosova, Mali i Zi, Serbia e kështu me radhë do të bëjnë 3-4 hapa mbrapa. Do të thotë që ato po vuajnë më pak se ne. Do të thotë që ato do të duhet të bëjnë më pak sakrifica për të rigjallëruar ekonominë e tyre. Kurse ne do jem itë parët në rajon për recesionin më të lartë, për hapat mbrapa që do të bëjë ekonomia shqiptare.

E kishim të thjeshtë ta evitonim këtë gjë? E kishim, vendime kurajoze të qeverisë shqiptare, vendime të bazuara në atë buxhet sado të vogël që ka. Kriza mund të menaxhohej më mirë dhe dëmet të ishin më të pakta. Bizneset hapen dhe mbyllen në të gjitha vendet e botës. Por ajo që po ndodh sot, rrugët kryesore të Tiranës, që kanë qenë gjallëria e biznesit të dyqaneve, gjysma kanë qepenat mbyllur. Fatkeqësisht ajo që konstatojmë dita-ditës ne po humbasim kohë dhe kriza po vazhdon të thellohet më tej. Kishim krizë para tërmetit, u thellua nga tërmeti dhe nga pasojat e pandemisë. E mbani mend kryeministrin kur ka dalë për herë të fundit të flasë për ekonominë e shëndetësinë.

I mbani mend deklaratat në mars, ku është sot? Fliste për shëndetësinë kur kishte nga 25 të infektuar, por sot që janë mbi 100 pse nuk flet kryeministri? Në momentin që je në krye të qeverisë duhet t’i japësh drejtim punëve të vendit. Nuk është e thënë të qeverisësh vetëm në ditë me diell, por duhet të marrësh përgjegjësi dhe në ditë me breshër siç janë këto.

Gjërat dita-ditës po përkeqësohen dhe nuk po i del kush për zo. Detyra e opozitës është të ngrejë zërin dhe të japë alternativa. Në momentin që të jemi në krye të punëve, normalisht do i dalim ne për zot vendit tonë.

Turizmi është një nga sektorët që ka pësuar goditje, a ka bërë mjaftueshëm qeveria?
Në sektorin e turizmit janë të punësuar pothuajse 100 mijë persona drejtpërsëdrejti, 200 mijë të tjerë zinxhiri furnizues i tyre, i sektorit të mallrave që furnizojnë turizmin. Pra rreth 300 mijë persona të lidhur me këtë sektor. Financimi nga marsi deri sot vetëm 1.6 mln euro. Kaq ka dhënë qeveria shqiptare për turizmin. Ne si opozitë i gjetëm dhe burimet e financimit qeverisë dhe çfarë bëri, braktisi ekonominë. Në total dha vetëm 100.

Çfarë mund të bëjë sektori i turizmit me 1.6 mln euro. Praktikisht asgjë. Shihni çfarë kanë bërë Italia, Mali i Zi, Greqia. Kanë bërë subvencionime agresive të pagave të punonjësve, të sigurimeve shëndetësore e shoqërore po e po. Mali i Zi ka dhënë 80% të pagës së sektorit dhe mbështetje reale duke ulur kostot e turizmit. Fakti tjetër që po ndodh, shqiptarët nuk kanë para.

Ky sektor këtë vit duhet të mbështetej nga konsumatorë të brendshëm. Por çfarë u dha, asgjë. Italia jep 900 euro për person. Greqia japin nga 500 euro për person, skema incentivimi. Pra, para që do mbajnë gjallë sektorin e turizmit. Sot treçereku i plazheve shqiptarë janë bosh sepse qytetarët shqiptarë nuk kanë para në xhepin e tyre. Para që nuk kanë ardhur edhe si pasojë e pandemisë por dhe si pasojë e faktit që qeveria nuk bën detyrën e saj.

A ka para qeveria, po ka. Pardje pagoi 900 mijë euro për inceneratorin e Tiranës. Nga 10 marsi deri tani për inceneratorin ka paguar 3.9 mln euro. Më shumë se dy herë më tepër se sa për turizmin. Kjo është filozofia e qeverisë. Para nuk ka mjaftueshëm, por me ato para që janë sot aktualisht mund të bësh diçka shumë më të mirë se sa ajo rënia e lirë që e kanë lënë praktikisht ekonominë shqiptare për të cilën ne do vuajmë recensionin më të madh të 30 viteve të fundit. Do jemi më të goditura se vendet e rajonit.

Sa i përket tenderit të akshit 2 milionë dollarë për biletat elektronike, ku qëndron emergjenca e këtij tenderi në këtë kohë pandemie?
Ekspertët tanë të IT-së dhe departamenti i antikorrupsionit që ndjek praktikat e tenderimeve konstatuan diçka: Duan të shpenzojnë 2 milionë euro për të ngritur një sistem që në pjesën dërrmuese të tij është i ndërtuar. Duan të hedhin të dhënat e linjave të transporteve. Linjat e transportit ekzistojnë në Shqipëri dhe linjat e transporteve urbane, interurbane e kështu me radhë janë të licencuara dhe kanë një dokumentacion. Duhen 2 mln euro për të hedhur në një soft kompjuterik të dhënat ekzistuese, absolutisht jo.

Në raportimet që ne kemi nga ekspertët tanë kjo mund të realizohet me dhjetëra e dhjetëra herë më pak para. Por 2 mln euro për një tender korruptiv dhe për sektorin e turizmit kanë dhënë 1.6 mln euro. Kjo është keqqeverisja. Vazhdojnë të mendojnë për veten e tyre si në kohë paqeje, ndërkohë që për ne qytetarët, për biznesin e vogël, të mesëm e të madh dhe për të gjithë aktorët e tregut, vazhdojnë të sillen si në kohë lufte. Por kjo nuk është e drejtë dhe pasojat do t’i vuajnë qytetarët shqiptarë. Detyra e opozitës është që kur të jetë në krye të punëve duhet t’i ngarkojë përgjegjësinë atyre që e kanë bërë.

Tenderat e rindërtimit, planifikimi i qeverisë 130 mln euro për Shqipërinë dhe një tender i veçantë për Tiranën?
Që ka nevojë që të rindërtohen godinat nga fillimi apo të ristrukturohen ato pallate, që janë klasifikuar DS4 patjetër që është e nevojshme. Ajo që duhet  bërë është transparenca dhe pse dy standarde. Fakti që bëhet veç për Tiranën mban era korrupsion dhe ka praktika korruptive që do të zbardhen duke parë tenderat një nga një. Tenderat që po zhvillohen nga Bashkia e Tiranës dhe FSHZH janë në vlera të mëdha dhe po i zhvillojnë dy-tre veta dhe paratë po shkojnë në duart e 2-3 bizneseve ndërtuese kryesore të lidhura ngushtësisht me qeverinë shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb