Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Origjinaliteti dhe autorësia e letrës

Qëndrimi ndaj letrës është e domosdoshme të bazohet në analizën e ekspertimit kriminalistik. Për këtë arsye është e domosdoshme të bëhen sqarime dhe dokumentim shkencor i faktit dhe i përmbajtjes së letrës në këto drejtime:

– Letra është origjinale apo e manipuluar?

– Letra është shkruar nga vetë Mehmet Shehu? Letra është shkruar si letër lamtumire, apo ka qenë një format i diskutimit apo diskutimeve të bëra prej tij në Byronë Politike? Ka qenë një formulim i shkurtër i problemeve për diskutim? Kjo përmbajtje me probleme për diskutimet e bëra është manipuluar duke u bërë shtesa në formën përfundimtare që është administruar dhe gjendet në arkiv?

– Ka ndryshim midis letrës dhe autokritikës së gjerë të dërguar më parë Enver Hoxhës?

– Letra është një manipulim i formuluar me kujdes nga grupi që kishte nën vartësi Ramiz Alia për përgatitjen e materialeve të tij sekrete? Ky grup punonte edhe me materialet që përgatiteshin dhe u dërgoheshin për t’u dhënë forma ligjore nga hetuesia dhe gjykata.

– Letra e formuluar nga grupi i punës me në krye Ramiz Alinë ka marrë formën përfundimtare për të mbetur si dokument origjinal.

– Për të realizuar një dokument “origjinal” që të mos mbeteshin dyshime për origjinalitetin dhe falsifikimet e bëra, është rishkruar nga specialistë kriminalistë në formën përfundimtare që ajo administrohet në arkivin e shtetit?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë rëndësi vendimtare për të arritur në përfundime objektive për origjinalitetin e letrës, përmbajtjen e saj dhe mendimet e dokumentuara. Konkluzioni shkencor për sqarimin e këtyre pyetjeve është i domosdoshëm për vetë rëndësinë historike të ngjarjes së rëndë të vdekjes misterioze të kryeministrit në detyrë, dokumentimin dhe argumentimin shkencor dhe cilësimin juridik sipas kritereve të Kodit Penal si “vrasje”, “ngjarje aksidentale” apo “vetëvrasje”. Për këto arsye është e domosdoshme të realizohen ekspertiza komplekse kriminalistike, për të sqaruar origjinalitetin e letrës dhe autorin e shkrimit, për analizën logjike të mendimit të evidentuar, duke e krahasuar me qëndrimet dhe veprimet e autorit, me dokumentet, me incizimet dhe filmimet që disponohen, me mendimet e personave që e kanë njohur, kanë punuar me të, kanë njohuri për shkrimin dhe mënyrën e formulimit të përmbajtjes së mendimeve të tij në dokumente zyrtare dhe ato personale, nga familjarët e tij etj.

Nuk ka një dokument me një konkluzion shkencor të analizës dhe vlerësimit të letrës për origjinalitetin dhe autorësinë. Kjo është një mangësi thelbësore e hetimit dhe provave që ndikon në analizën përfundimtare për vrasjen apo vetëvrasjen. Kjo ka qenë detyrë e domosdoshme për t’u realizuar në atë kohë kur ndodhi ngjarja dhe u kryen hetimet për rrethanat, provat, motivin dhe shkakun e vdekjes, elementet e veprës penale të kryer.

Fakti që në Arkivin Qendror të Shtetit letra është administruar zyrtarisht, sipas kritereve të njohura ligjore, nuk është i mjaftueshëm për garancitë që kërkohen të ketë për objektivitetin, origjinalitetin dhe autorësinë. Është e rëndësishme që kemi një dokument arkivor me rëndësi historike. Por është e domosdoshme që të bëhen edhe veprimet e nevojshme të mundshme dhe të domosdoshme për të mënjanuar këto mangësi. Ka akoma argumente të bazuara në fakte dhe rrethana reale për të vendosur për ekspertime, për sqarimin e dyshimeve, si dhe për të realizuar ekspertizën kriminalistike të domosdoshme.

Sqarimi i vdekjes së kryeministrit është një kërkesë që detyron organet shtetërore për veprime, pa u ndikuar nga kriteret ligjore të parashkrimit të veprës penale dhe fajtorëve. Pa një evidentim shkencor nga ekspertët kriminalistë të kësaj letre, nuk mund të konkludohet për origjinalitetin e saj dhe motivin e ngjarjes së përshkruar në të. Problem që detyron ekspertimin e letrës është praktika e dokumentuar e falsifikimeve dhe manipulimeve që u janë bërë dokumenteve të rëndësishme të shtetit shqiptar. Me këtë praktikë është inkriminuar direkt Enveri dhe Nexhmija, të cilët kanë dhënë porosi konkrete për ndryshime të dokumenteve historike, duke filluar me Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, të figurave të personave të caktuar nga fotografitë me rëndësi dokumentare etj.

Vetë Nexhmija në intervistat e saj të fundit, në vitet 2014-2015, e ka pranuar këtë fakt duke thënë se e kemi bërë këtë gabim. Në shtëpinë e Enver Hoxhës ndodhej edhe dhoma, e cila ishte zyra e fshehtë me dyer të blinduara, e pajisur me laborator për fotot e Enver Hoxhës. Ajo përdorej vetëm nga Nexhmije Hoxha dhe Sulo Gradeci. Në këtë laborator Nexhmije Hoxha ka drejtuar retushimin e fotove dhe të dokumenteve. Dokumentet e fotot e falsifikuara janë përdorur si origjinale, për t‘u përdorur si burime origjinale për referimet në histori dhe për të lartësuar profilin e hyjnizimin e Enver Hoxhës. Këto foto të retushuara janë përdorur edhe nga aktivisti francez në librin e tij: “Precis d’histoire de la lutte antifaschiste de liberation du people albanais”, botuar herët në Paris, më 1975. Ai ka krijuar një album, duke hulumtuar e saktësuar edhe foto të retushuara në ish-vende komuniste.

Në album është përfshirë edhe Shqipëria me foto të retushuara të diktatorit. Ka rëndësi të njihet, theksohet dhe vlerësohet edhe fakti se Laboratori Qendror i Kriminalistikës në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte institucioni që kishte si objekt ekspertimin e origjinalitetit të dokumenteve zyrtare dhe të letrave objekt i veprave penale. Është e domosdoshme të sqarohet edhe roli i këtij institucioni për kërkesat e udhëheqjes dhe posaçërisht edhe për letrën e Mehmet Shehut!?

– Deklarimet e personaliteteve të kohës për origjinalitetin dhe autorësinë e letrës Ramiz Alia ka treguar interesim të veçantë për të fiksuar dhe mirëdimensionuar pozicionin, rolin dhe përjashtimin nga çdo implikim apo fajësi e mundshme lidhur me qëndrimet dhe veprimet e tij në situatën politike dhe në ngjarjen e rëndë të vdekjes së Mehmet Shehut. Në shpjegimet për faktet dhe dokumentet e rëndësishme ai jep mendimet e tij me arsyetime që direkt apo indirekt ndikojnë në lehtësimin e qëndrimeve të diskutueshme, të dyshuara dhe të fajësuara publikisht në ngarkim të qëndrimeve të njohura zyrtare dhe të atyre të fshehta e të përgojuara nga persona që kanë punuar pranë tij, si dhe për akuzat, dyshimet dhe përgojimet në tërësi në opinionin shoqëror.

Detajet e letrës që shpjegon Ramizi janë të njohura. Ai sqaron edhe mendimin e tij për akuzat që ka bërë Mehmet Shehu ndaj tij dhe Kadri Hazbiut. Në letër Mehmeti shkruante se po vriste veten sepse “atij nuk i ishte lënë asnjë mundësi që të sqaronte situatën e krijuar” dhe i lutej Enverit që të kujdesej për familjen e tij, për Fiqiretin dhe djemtë. Përveç kësaj, e këshillonte E. Hoxhën që të ruhej nga K. Hazbiu, të cilin e quante “Jago” dhe nga R. Alia, që e cilësonte “Hrushov”, pra revizionist të vijës së partisë. Konkretisht, lidhur me personin tim, M. Shehu shkruante: “Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur partinë. Nga kush? Nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovi që arritën për fat të keq të Partisë, të të rrethonin, të manovronin, për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen… Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlysh i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste; atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç e kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta të dy jo (Jagon gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri) – pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: ‘Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?’ d.m.th. që s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë.

Ju mos besoni këtë që po ju them po të doni, kjo është puna juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër për të zbuluar këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër kur nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska Hrushoviane. E rastit qe ajo që ai propozoi në vitin 1977 në Byronë Politike për të revizionuar sistemin arsimor tonin e për ta kthyer shkollën e mesme në shkollë 10-vjeçare, njëlloj si shkolla sovjetike? Pse s’u bë çështje ai propozim? Po Foto Çami që në vitin 1975 nën drejtimin e Ramizit shkoi për rrezikun e konservatorizmit…”.

Kritikat prej tij bëhen në kohën kur në të gjithë partinë dënohej ky veprim i gabuar i tij. Ndërsa, si u zhvilluan ngjarjet, kur në nëntor, Kongresi VIII i Partisë e zgjodhi në Byronë Politike dhe e la edhe kryeministër, kur diskutimi në Byronë Politike në 17 dhjetor, ku vërtet u bënë kritika të forta në adresë të tij, por si masë nga të gjithë anëtarët u propozua vetëm “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit”, vetëvrasja ishte e pakonceptueshme. Aktualisht në gazeta shkruhet se kritikat në Byro ishin gati-gati si “linçim” i Mehmetit. Jo, nuk është e vërtetë! Në Byronë Politike janë bërë kritika të forta, kjo është e vërtetë. Por duhet pasur parasysh se këto kritika merrnin “spunto” nga autokritika që kishte bërë vetë Mehmeti dhe që u lexua në Byro nga vetë ai përpara se të fillonin diskutimet.

Autokritika e tij u hapi rrugën diskutimeve, dhe të ashpra, dhe të gjithanshme. Por megjithatë, në mbledhjen e Byrosë, asnjëri nga anëtarët nuk e kishte humbur respektin, bile as “frikën” nga personaliteti i M. Shehut. Prandaj kritikat ishin “të forta”, por ishin edhe “në normë”, sepse kushdo e kishte parasysh se të nesërmen do të kishte punë me Mehmetin që përsëri do të ishte kryeministër dhe anëtar i fuqishëm i Byrosë Politike! Këtë nuk e harronte kush aq lehtë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb