E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Daniela Mane, menaxhere projektesh në INCA, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri ka folur për problemet e mjedisit në Shqipëri, rëndësinë e bashkëpunimit të shoqërisë civile me median si dhe rolin e publikut në vendimmarrje.

“Larmia e biodiversitetit është shumë e madhe dhe rreth 20% e territorit të Shqipërisë është e shpallur zonë e mbrojtur. Por sa jemi në gjendje t’i mirëpërdorim dhe të kemi një zhvillim të qëndrueshëm të vendit? Sot natyra na paraqitet e fragmentuar dhe e paaftë për të reaguar ndaj dëmeve të parikuperueshme siç janë nga hidrocentralet, guroret apo infrastruktura të mëdha të ndërtuara brenda territoreve me status mbrojtës. Problem tjetër që po përballet natyra është edhe prerja e paligjshme e pyjeve, megjithëse kemi moratorium për mbrojtjen e tyre apo gjuetia e paligjshme. Edhe pse kemi kuadër ligjor të përafruar në letra me atë të BE-së përsëri ka mangësi sidomos në zbatim. Kur mungon pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje e bën më të lehtë korrupsionin në mjedis. Ne si shoqëri civile ngremë zërin që të fuqizojmë organizatat e shoqërisë civile që të kenë kapacitetin jo vetëm informues, por të kenë edhe aftësinë për të ngritur zërin dhe për të mobilizuar gjithë komunitetin që është i prekur nga këto probleme. Ne kemi përfituar mbështetjen e BE-së, ishte program që mbështeste shoqërinë civile dhe median. Hymë me iniciativën për të ngritur zërin për ruajtjen e natyrës. Programi ishte dhe për një qasje më të mirë me median. INCA, në projektin që zbatoi kishte në fokus 4 zona pilote në Shqipëri, zona me vlera natyrore dhe që përfaqësonin zona të mbrojtura.Nëse media bashkëpunon me shoqërinë civile, zëri ynë është më i fuqishëm dhe reagimi do jetë më serioz dhe më i shpejtë”-deklaroi Daniela Mane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb