Ish-ministri i Shëndetësisë, Gjergji Koja, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se zgjedhjet e 25 prillit do të gjykojnë veprimet e qeverisë dhe të opozitës përgjatë gjithë këtyre muajve të përballjes me pandeminë, ndërsa shtoi se më e rëndësishme sot është të sigurohet vaksina anti-Covid.

E ftuar në studio, ekspertja e PD për Shëndetësinë, Liljana Ramasaço, u shpreh se Shqipëria do të jetë vendi i fundit në botë, që do të marrë vaksinën kundër koronavirusit.

Koja: Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, do të gjykojnë qeverinë për çfarë ka bërë dhe jo gjatë kësaj periudhe, ashtu si edhe opozitën. Nuk është etike dhe aq morale të gjykojmë çfarë do tregojnë zgjedhjet, por duhet të flasim për vaksinën. Ishte pandemia që pas 100 vitesh e bëri botën të flasë ndryshe dhe të jetojmë siç nuk kemi jetuar më parë. Shqiptarët në zgjedhje nuk kanë për të gjykuar vetëm për Covid-in, por si do të jetojnë më tutje. Shqiptarët e dinë fare mirë se si do të gjykojnë.

Ramasaço: Prioriteti i opozitës ka qenë shëndeti i qytetarëve dhe ajo që qytetarët do të mbajnë mend nga kjo pandemi do të jetë varfërimi i tyre, numri i lartë i vdekjeve, kriza ekonomike, se këtu kemi të bëjmë me një dështim total të qeverisë në menaxhimin e kësaj situate. Do të jemi vendi i fundit në botë që do të marrim vaksinën anti-Covid.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb