TIRANË- Një ngjarje e rëndë është arritur të shmanget mesditën e sotme në kryeqytet. Pronari i një automjeti tek zona e Ish-fushës së aviacionit, Agim Ahmetaj me origjinë nga Kukësi, ndërsa ka tentuar të hipë në makinë ka vënë re gomën të rënë. Ai është ulur për ta kontrolluar dhe në moment ka parë një pako dyshimtë pranë gomës. Ahmetaj, që është i punësuar si shofer i një avokati ka njoftuar menjëherë policinë e Tiranës, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi ka siguruar perimetrin dhe ka bllokuar qarkullimin, ka nisur hetimet.

Një orë pas marrjes së njoftimit, forcat xheniere dhe specialistë të Policisë së Tiranës kanë mundur të largojnë pakon e dyshimtë nga automjeti tip “Benz” me targa AA307CB, brenda së cilës kishte granatë dhe tritol. Sipas policisë eksplozivi ka qenë i lidhur në diskun e makinës dhe në momentin që automjeti do lëvizte do të shpërthente. Fatmirësisht falë edhe ndërhyrjes së policisë, është shmangur çdo problem.

Ndërkaq grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ndërsa janë shoqëruar dy persona, të cilët po merren në pyetje. Për gazetarin Spartak Koka, pronari ka thënë se nuk i di motivet e këtij akti. “Më kanë vënë granatë dhe tritol në makinë. Nuk e di se kush mund të ketë qenë. Nuk kam konflikte”, ka thënë Ahmetaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: