GJERMANI- Më 3 korrik ekspozita “All about these… Ladies and gentleman”, që ka vizituar disa prej galerive më të rëndësishme të Europës, do të jetë në Gjermani. Mes shumë artistëve të njohur, janë edhe punët e artistëve shqiptarë me emër si Anri Sala, Adrian Paci, Artan Shabani, etj. Kuratori Fani Zguri ka shkruar: “Një herë e një kohë shihja filmat e Ingmar Bergmanit; tani hedh shënime të marra nga E-flux dhe Art-agenda. ‘All About These… Ladies and Gentlemen’ është thjesht një ilustrim i imazheve që i dhanë jetë këtyre shënimeve” duke ftuar artdashësit për ta vizituar atë.

“All About These…” filloi në Viafarini në Milano, në vitin 2013 dhe është prezantuar në Co/ Pilot Stamboll 2014. Ekspozita është një projekt që vazhdon dhe ndryshon në kohë; në çdo ekspozim të ri, prezantohen artistë dhe video të reja.

Struktura mbetet e njëjtë, ndërsa informacioni zëvendësohet me data të tjera. E thënë ndryshe, “All about these…” është një video instalacion i kuruar nga Fani Zguro në bashkëpunim me ‘Gallery on the Move’, që veç të tjerave është prezantuar edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Soma në Meksikë, e jo vetëm kaq, tashmë ka një tjetër stacion.

Mes shumë artistëve pjesëmarrës në këtë projekt, artistë punët e të cilëve ekspozohen para një publiku që e njeh dhe e ndjek artin bashkëkohor, përmendim: Hamra Abbas, Halil Altindere, Fikret Atay, Francisco Camacho, Dina Danish, Jakup Ferri, Regina Jose Galindo, Dora Garcia, Ion Grigorescu, Alban Hajdinaj, Ibro Hasanovic, Pablo Helguera, Jesper Just, Hassan Khan, Anibal Lopez, Haroon Mirza, Ciprian Muresan, Museo Aero Solar, Tomas Ochoa, Melik Ohanian, Ferhat Ozgur, Adrian Paci, Steve Piçolo, Anri Sala, Katerina Seda, Artan Shabani, Santiago Sierra, Bert Theis, Fani Zguro, etj. Punët e artistëve pjesëmarrës shfaqen në “Temporary Gallery” në Këln (Cologne) në Gjermani.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb