TIRANE- Hyjnesha në fron, stampat e stërlashta të dizajnit, pllakat me kultin e diellit, emrit të vetë Ilirisë, gjarpri kult, stolitë e statujat e vogla të qeramikës janë pasuri e jashtëzakonshme e arkeologjisë shqiptare, por që njihen aq pak…

“Një pasdite në muze” projekti për njohjen dhe bërjen publike të vlerave të trashëgimisë kulturore ka ardhur me një vizion të ri në Muzeun Historik Kombëtar. Në aktivitetin e datës 10 mars me temë: “Mitet dhe kultet në prehistorinë shqiptare” janë prezantuar zbulimet arkeologjike nga më të hershmet në trojet shqiptare në praninë e studiuesve e studentëve.

Arkeologu Adem Buguri solli për të pranishmit disa fakte të panjohura të qytetërimeve ilire e parailire.

“Terrakota apo figurina femërore janë gjetur në të gjitha vendbanimet tona neolitike. Podgoria ku është e pasqyruar peshku e zogu. Gjarpri ka luajtur rol të rëndësishëm në mitologjinë ilire, gjatë shekullit të pestë Para Krishtit dhe më vonë gjetje me simbolin e gjarprit janë gjetur në të gjithë trevën ilire”, tha Buguri, citon Report Tv.

Drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, kujtoi audiencën se zbulimet kanë një rol vendimtar në formimin e identitetit të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë, rrënjët e të cilëve gjenden në lashtësi.

“Këto mite janë pjesë e një substrati i cili ka ushqyer kohë më vonë mitologjinë e vjetër greko-romake dhe ilire. Vepra të mëdha të antikitetit me të cilat etnia jonë është krenare”, tha Koçi.

Përtej qytetërimit iliro-helen dhe iliro-romak të zbuluar në arkeologjinë shqiptare, sigurisht që ka mijëra zbulime të Ilirikumit të Lashtë, por cilat janë arsyet që njohja është përqendruar vetëm në qytetërimet e përziera iliro-romake dhe iliro-helene, duke lënë jashtë vëmendjes vetë gjenezën tonë. Dorian Koçi flet për një nga arsyet thelbësore.

“Ne jemi një vend i pasur me materiale të tilla prehistorike në pavionin e arkeologjisë ka stenda të posaçme në të cilat ka materiale të bollshme të kësaj periudhe. Ajo që ndoshta nuk ka ardhur drejtpërdrejt në vëmendjen e publikut është sepse ashtu siç dihet periudha iliro-helenike apo dhe ajo romake me skulpturat e saj e ka monopolizuar antikitetin e kohës sepse ka struktura më të bukura ne skulptura antropomorfe të cilat krijojnë dhe quhen thesare kulturore”, tha Koçi.

Prezantimi i elementëve arkeologjike të zbuluar në territoret shqiptare ka vijuar disa orë nga kuratorët dhe specialistët e arkeologjisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb