TIRANË- Zëvendëkryeministri Niko Peleshi ishte sot i pranishëm në çeljen e ekspozitës të Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë, në ambientet e Kryeministrisë, në Qendrën për Hapje dhe Dialog, (COD).

Çelja është bërë në një ceremoni në praninë e shumë të ftuarve ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, të shoqërisë civile, të artit dhe kulturës, si dhe shumë të rinj mbështetës të Institutit të nxënësve që nuk dëgjojnë.

Ekspozita me piktura dhe punime me dorë, është njëkohësisht pjesë e nismës “Ëndrra ime”, ku qeveria financoi projektet inovatore të shumë të rinjve. Nxënësit kanë realizuar një pjesë të punimeve të ekspozitës duke punuar për rreth një javë në COD në Kryeministri, ku dhe sot hapën ekspozitën e tyre.

Në fjalën e tij, Zv/Kryeministri Peleshi përcolli mesazhin se gjithëkush duhet të gjejë talentin e tij. “Unë deri më sot nuk kam njohur askënd që të jetë supernjeri, por kam njohur njerëz që kanë qenë të kufizuar në disa drejtime, por që kanë qenë të suksesshëm në një drejtim tjetër. Unë mendoj se totali i aftësive të njeriut ka një njësi të barabartë, çka do të thotë, sqaroi Peleshi, se dikush që ka një aftësi të kufizuar, Zoti, natyra i ka dhënë një dozë talenti të shtuar në një drejtim tjetër, prandaj dhe ne duhet të gjejmë talentin”.

Ai  theksoi se gjetja e talentit përveç se një detyrë individuale dhe familjare, është dhe një nga qëllimet kryesore të punës së qeverisë. “Përmes arsimit, përmes aktiviteteve jashtëshkollore, gjithësecili duhet të gjejë talentin e tij dhe zotësia e një sistemit të suksesshëm arsimor është pikërisht inkurajimi i të rinjve për të ndjekur talentin e tyre”, vijoi Peleshi.

Duke nisur nga shprehja e Steve Jobs, “zbuloni atë që dashuroni, sepse rruga drejt suksesit kalon gjithnjë nga zemra”, zv/Kryeministri Peleshi tha se të rinjtë e të rejat duhet të kthejnë ëndrrat e tyre në realitet, duke mos u dorëzuar asnjëherë. “Përmes këtij aktiviteti ne mund të gjejmë talente në fushën e pikturës dhe përmes aktiviteteve të tjera mund të gjejmë liderët e së ardhmes, këngëtarët, artistët, futbollistët e së ardhmes, prandaj mos u dorëzoni, punoni, dashuroni, pasi vetëm kështu do të arrini të fitoni”, u shpreh Peleshi, duke nënvizuar shprehjen edhe përmes gjuhës së shenjave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb