NGA FATMIRA NIKOLLI

Si përballen artistët bashkëkohorë me periudhën postsocialiste, me gjurmët e lëna, me dëshmitë e gjetura, me ndalesat e trashëguara, me klishetë, me prindërit që kanë njerëz të sigurimit të shtetit, me artin që nuk i shërbeu atij për ç’arsye u mbajt fshehur? Mandej, si përballen këta artistë me minoritetet që rreken të mbijetojnë, me emigrantët që rreken të gjejnë një jetë më të mirë, me romët që janë gjithnjë në anën e paragjykuar ose të lënë pasdore të shoqërive? Mënjanë, një përballje me politikën e djeshme e të sotmen, me dhunën e së shkuarës, me kujtimet e saj, me kërkimet për të, dhe në anën tjetër, artistët përballë politikës së sotme: shtresat e margjinalizuara, ato që vuajnë, ato që janë u lihen anët e rëndomta, ato që paragjykohen, ‘skllavët’ e vendeve të lira e demokratike. E nëse në njërën anë qëndrojnë ‘vendimet’ politike (strategjitë), përballë tyre janë njerëzit që rreken të mbijetojnë paçka politikave (taktikat). Me 10 video të 12 artistëve dje në Galerinë Kombëtare të Arteve u çel ekspozita “Strategji dhe taktika – Ekspozitë e Videoartit sllovak”.

Prezantimi erdhi si rezultat i një bashkëpunimi mes Galerisë Kombëtare të Arteve dhe White House Biennial, një platformë artistike ndërkombëtare me bazë në Athinë, Greqi. Në konferencën para mediave, Artan Shabani, drejtor i GKA tha se kjo ekspozitë, është pjesë e programit dyvjeçar të bashkëpunimit mes GKA dhe White House Biennial (WHB) me bazë në Athinë, Greqi. “Strategji dhe Taktika është ekspozita e parë nga dy ekspozitat e parashikuara mes nesh dhe WHB dhe prezatohet si pjesë e edicionit aktual- Sprova për Demokraci. Vitin tjetër do të kemi në Galerinë Kombëtare të Arteve një ekspozitë tjetër me këtë platformë me pjesëmarrje artistësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë”.

Sipas tij, është hera e parë që në Galerinë Kombëtare të Arteve vjen një ekspozitë e cila na sjell artin bashkëkohor sllovak në mediumin e videos me qëllim prezantimin e tij. “Por ky nuk është qëllimi i vetëm, pasi shkëmbimi i ideve, koncepteve dhe eksperiencave mes artistëve dhe kuratorëve në vendet ku prezantohen është gjithashtu shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për atmosferën artistike. Kjo është edhe arsyeja që e pranuam këtë projekt në Galerinë Kombëtare”, u shpreh Shabani. Mandej, kuratorja Lydia Pribisova përcolli konceptin ku është bazuar kjo ekspozitë. “Kam njohur shumë artistë të rinj dhe kam parë se s jetojnë në vështirësi dhe duhet të zhvillojnë praktika të ndryshme për tia dalë të jetojnë me dinjitet. Duhet të jenë vazhdimisht krijues, sepse sot shoqëria neoliberaliste është bazuar më shumë në prodhimin e mallrave për tregun material dhe jo aq shumë në prodhimin dhe mbështetjen e ideve”.

Sipas Pribisovës, kjo është arsyeja pse shumë artistë punojnë më temat sociale, me minoritetet, emigrantët, e romët. Ajo vërejti se këto janë tema të postsocializmit. Ndërsa vetë titulli i ekspozitës, ëshët marrë nga filozofi francez Michel de Certeau i cili shkruajti në vitin 1984 librin “Praktika të jetës së përditshme” ku ai ndan strategjitë dhe taktikat. Pribisova sqaroi se strategjitë shpesh i kanë përdorur regjimet politike, ndërsa taktikat janë përdorur nga individë të vetëm, apo grupime të vogla të cilët kërkojnë të përshtaten me shpejt me një situate të caktuar, prandaj duhet të jenë më kreativ dhe duhet të zhvillojnë në mënyrë me intuitive, pra artistët në përgjithësi zgjedhin taktikat.

“Pra në këtë ekspozitë ofrojmë kampione të ndryshme, taktika të ndryshme të artistëve që përdorin jetën e tyre të përditshme dhe që flasin për tema të cilat njerëzve mund t’ju interesojnë, por gjithmonë duke i interpretuar ato, duke trajtuar me humor ose sarkazëm”, tha Pribisova. Ekspozitën që do të qëndrojë e hapur deri më 31 Gusht, e prezantojmë shkurtimisht më poshtë. VIDEOT Nga një ekran në tjetrin, temat përcjellin këndvështrimet e artit sot, dhe mënyrën si proteston një art ‘i lirë’, në shoqëri ku ka shumë rëndësi aparenca. Anton Cierny e Pavlina Fichta Cierna në “And Keep the Feeling,” 2012 sjellin Danubin dhe jë çift njerëzish që ndihmojnë njeri tjetrin të ndërmarrin një situatë të rrezikshme për të sugjeruar një asociim mes kontekstit social dhe politik të vendit të tyre. Iva Durkacova me “Këtu dhe Atje”, 2014, i jep një shuplakë Europës. Videoja e saj, tregon se roli i kufijve është të ndajnë kufijtë.

Ndonëse Perdja e Hekurt ka rënë prej kohësh dallimi mes lindjes dhe perëndimit mbetet akoma edhe sot. Por me ndryshimin që sot termi i dikurshëm “ish Blloku Lindor” është zëvendësuar, për të qenë politikisht korrekt, me termin “inferior”. Artisti Oto Hudec, i njohur për temat e emigracionit, sjell “Instrument për të Dëgjuar”, 2014, një megafon ku dëgjohen intervista që paraqesin temat e emigrimit, gjuhës, fesë, traditës, artit, korrupsionit, drogës, apo etikës gazetareske në Dallas. Artisti Martin Kochan me “Duke Pikturuar Peizazhe”, 2014, futet në një peizazh dhe lyen pemët, për të ironizuar politikën, pasi plepat nënkuptojnë simbolikën e Sllavizmit, e duke i përdorur ato Kochan na jep edhe një koment ironik mbi ekspansionin e Rusisë.

Puna e Daniela Krajcovës, “Emër, Qytet, Kafshë, Send”, 2015 është një video me pjesëmarrjen e emigrantëve të kampit në Rohovce ku përmes aktiviteteve të ndryshme (shkrime bazuar në filmat sllovakë, projektim vizatimesh në mur, punime në qeramikë, etj.) emigrantët shpjegojnë gjendjen e tyre në Sllovaki. Bashkëshortët Tamara Moyzes e Shlomi Yaffe përmes “Protokoll II.,” 2015, shfaqin marrjen në pyetje të Yaffe-s nga policia çeke e emigracionit, duke dashur të ndriçojnë hapsirën mes sferës private dhe publike përfaqësuar nga artistët dhe nga pushteti hetues ekzekutuar nga autoritetet. Filmat e ndaluar sllovakë (gjatë komunizmit) janë vënë në fokusin e artistes Lucia Nimcová me veprën “Kodim i Dyfishtë”, 2010. Ajo mori në shqyrtim 40 filma të realizuar midis viteve 1968 dhe 1989.

Eshtë thuajse e pamundur të kuptosh se mbi bazën e cilës logjikë këta filma u ndaluan të shfaqeshin. I njohur si artist dhe aktivist që shpesh gjendet në syrin e ciklonit të konfilkteve, Tomas Rafa prezantohet me “Muri i Sporteve, Secovce”, 2014. Në 2011 ai themeloi një festival kolektiv të titulluar Muri i Sporteve, me impulsin për të ndërtuar një mur që ndante minoritetin rom nga pjesa e madhe e bardhë e shoqërisë. “Salto Mortale”, 2014 e Anabelës Zigovës, është një video që hulumton mënyrat dhe rrugët që përdorin për tu përballur me të kaluarën ata njerëz, rrethi familjar i të cilëve apo miq të ngushtë kanë qenë bashkëpunëtorë të policisë sekrete .

Aty ekzaminohet “trashëgimia e heshtjes” dhe dilemat e brezit të ri sllovak që përballet me të kaluarën komuniste dhe dosjet e policisë sekrete që mbajnë të dhëna për pjestarë të familjes apo miq të ngushtë, akoma aktivë në jetën politike dhe kulturore. Duke dashur të trajtojë në njërën anë mungesën e interesit për hapësirat publike, dhe nga ana tjetër shmangien e vështrimit nga e kaluara e afërt, artistja Ilona Némethe e percepton mjegullimin si një formatim të mundshëm të hapësirës për një fillim të ri në videon “Mjegull”, 2013, ku shfaqet “Sheshi i Lirisë” në Bratislavë, ku janë zhvilluar që na manifestimet fashiste tek ato komuniste.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: