HAMBURG – Galeria e artit bashkëkohor “MYTORO” Hamburg, e artistit shqiptar Mentor Ejupi-Toro hap një ekspozitë me tre artistë shqiptarë nga Maqedonia. «Personal Archives» titullohet ekspozita me punime të artistëve: Reshat Ameti, Nafi Jashari dhe Xhelil Rufati. Ajo është kuruar nga Goranqo Gjorgjievski (kurator pranë Galerisë Nacionale në Shkup).

Ekspozita «Personal archives» ka të bëjë me grumbullimin e veprave të këtyre tre artistëve dhe pedagogëve universitarë dhe të kuruar nga z. Gjorgjievski. Kuratori i përmendur shkruan veç tjerash “artistët në fjalë janë të bashkuar në konceptin e marrëdhënieve të të kaluarës së tyre dhe artit të tyre, art i cili në vete ka një hulumtim permanent në botën e tradicionales dhe personales, veprat e artistëve kanë të bëjnë me një tematikë dhe ide që të çon në thellësitë e të kaluarës së kulturës shqiptare. Format e të shprehurit janë të ndryshme, por gjithmonë të një niveli të lartë artistik dhe mjeshtërisë teknike”.

Në pikturat e z. Ameti, kemi të bëjmë me një shprehje tradicionale të abstrakuar në koloritin shumë tipik dhe shumë të fortë të ngjyrave dominante, detajet e veshjeve dhe të rekuizitave tjera nga përditshmëria e kulturës shqiptare, zbërthehen në një harmoni multi kolore dhe simetrike , me forma shumë të qarta të një “rrëmuje” kulturore dhe historike. Kur e themi rrëmujë kemi parasysh lëvizjet teatrale që autori i pikturon me një mjeshtri të rrallë, duke mos u larguar asnjëherë nga skena që bartë me vete me vite të tëra nga arkivat e tradicionalizmit.

Forca e arritur në pikturën e z.Ameti është shumë dominuese, kjo forcë të jep përshtypjen se ngjyra dhe forma janë në një “luftë” permanente me njëra tjetrën. Kjo, pra është një histori e një populli të tërë që në rrethana historike dhe aktuale po përballon luftëra të llojeve të ndryshme. Perfekcionizmi, që në të shumtën e rasteve është shumë gjeometrik, por asnjëherë monoton, ofron një zbulim nga brendia e autorit, një pjesë nga shpirti i tij që është bartur në arkivin e tij personal.

Reshat Ameti sot është njëri nga artistët më të pranishëm në skenën e artit maqedonas dhe ndërkombëtar.

Nafi Jashari paraqitet me grafikë, por kjo grafikë edhe pse synon tradicionalen, është pothuajse e transformuar në pikturë, duke shfrytëzuar e kombinuar metodat moderne të grafikës klasike. Jashari jep vlera të reja të grafikës bashkëkohore, ngjyrat e përdorura në veprat që do ekspozohen janë një klithje e bukurive natyrore të Mesdheut, këto bukuri thyhen me vendosjen perfekte të simboleve tradicionale shqiptare. Patriarkalizmi si veti tipike e shqiptarëve, lë gjurmë në veprat e Nafi Jasharit: familja, shtëpia dhe ambienti i jetesës tradicionale të bëjnë të hulumtosh më tutje në arkivat e të së kaluarës.

Ndërsa Xhelil Rufati, skulptor, me punën e tij paraqet një formë të justifikuar të të krijuarit në forma të plastikës moderne. Drita, gjeometria, tradita, janë tatuazhet në skulpturat e krijuesit. Baza e perceptimit të tij është frymëzim nga e kaluara e largët (legjendat dhe mitologjitë e kombeve), e kaluara të kohëve të fundit (ndikimi i artit modern) dhe natyrisht të tashmen, por kryesisht për të nxjerrë në pah se shumica e veprave që zvarriten nga mitologjia pagane parahistorike, interpretuar me shprehje moderne artistike.

Legjendat dhe tregime mitologjike për perënditë, dielli, vallet, kafshët … janë burim i traditës së popullit shqiptar të kësaj zone, veçanërisht teknikat filigrane të Rekës së Epërme, por në fakt ato janë të pandara në historinë e të gjitha kombeve. Në disa skulptura, e perceptueshme është struktura molekulare, bashkim i të kaluarës dhe moderne, si një simbol i identitetit personal. Pra, z. Rufati flet për historinë dhe traditën e popullit të tij dhe historitë universale, legjendat, mitologjitë dhe traditat e njerëzimit.

Z.Rufati, duke transferuar legjendat dhe tregimet mitologjike në vëzhgim vizual krijon një dialog modern me të kaluarën, duke krijuar një format surreale dhe associative. Ekspozita do të hapet me 17 dhjetor 2015 në ora 19:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri me 16 Janar 2016.(albinfo)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: