TIRANE-Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani që vjen nga radhët e LSI-së përmes një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut ka reaguar sërish për ekstradimin në Itali të financierit të grupit kriminal ‘Habilaj’ Nazer Seiti.

Manjani thekson se prokuroria është zënë në flagrancë në një krim kundër drejtësisë. Ai me ironi pohon se kjo situatë është ping-pong i ‘sikletit.

REAGIMI I MANJANIT
Ping-pong i “sikletit”.
—————
“Për rastin Seitaj, do fillojnë verifikimet”- paska reaguar Prokuroria e Përgjithshme! Nëse ky është vërtetë qëndrimi zyrtar i Prokurorisë, atëherë prokuroria qartësisht fajëson veten! Prokuroria po na thotë se ka lejuar ekstradimin pa bërë verifikimet e nevojshme! Çfarë do verifikojë më shumë? Mungesën e verifikimit?!

Megjithë respektin, por janë zënë në flagrancë, në një krim kundër drejtësisë!

Kanë larguar nga hetimi penal Shqiptar një person të arrestuar nga gjykata shqiptare! Përgjegjësi direkt është Prokuroria e Përgjithshme, e cila duhet ta kishte verifikuar para se të ndodhte krimi.
Pa dyshim edhe Ministria është indirekt përgjegjëse. Personi i ekstraduar ishte në paraburgim dhe jo qytetar i lirë. Kishte informacion zyrtar aty për arsyen e mbajtjes në paraburgim! Megjithatë, për korrektësi le të presim edhe verifikimin “post krim” të Prokurorisë. Shpresoj të mos katandiset në ping-pong përgjegjësish, por të përfundojë në prerje mandatesh arresti. Gjithmonë nëse i ekstraduari ishte nën hetim nga Prokuroria jonë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb