TIRANË

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë.

Një tjetër i kërkuar nga autoritetet shqiptare ka rënë në pranga falë bashkëpunimit të Interpolit me homologët.

Nga specialistët e Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Kroacia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar P. P., 29 vjeç, banues në Shkodër.

29-vjeçari ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, për kryerjen e veprave penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Vjedhja me dhunë”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në nëntor të vitit 2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ky person u jepte ndihmë shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në Malin e Zi, duke pasur si destinacion vendet e Evropës Perëndimore.

Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër, në shtator të vitit 2018, kanë konstatuar 6 shtetas pakistanezë, të cilët synonin të kalonin në Malin e Zi, të ndihmuar nga shtetasi P. P., i cili pasi i kishte afruar në kufi me Malin e Zi u kishte marrë nëpërmjet kanosjes 720 euro, 2 telefona celularë, si dhe 6 çanta ku mbanin dokumentet e tyre. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë me Interpol Tirana dhe Policinë kroate u bë e mundur kapja e këtij shtetasi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb