Për ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi ajo që ndodhi sot me “Prestige Resort” është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në emisionin “Log.” në Panorama Tv, Halimi u shpreh se nuk është qeveria ajo që merret me konfiskim, por merren organet e drejtësisë.

Sipas Halimit, për rastin e Prestige Resort avokatët “nuk kanë pasur një njoftim për ekzekutimin e një vendimi qeverie për të kaluar në administrim nga pronar i ligjshëm në administrim të një institucioni tjetër publik”.

Halimi u shpreh se kjo e ka burimin tek një “vendim kontrovers i qeverisë, që mund të konfiskojë prona kur ajo çmon se këto prona janë devijime të legjislacionit fiskal”.

Endri Xhafo: Çfarë ishte kjo që ndodhi sot?

Eduard Halimi: Kjo është një veprim i kryer në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, në kundërshtim flagrant me legjislacionin, me konventën evropiane të të drejtave të njeriut për një arsye të thjesht sepse qeveria në çdo vend të botës nuk mund të bëjë konfiskime.

Konfiskimet janë masa procedurale merren nga sistemi i drejtësisë. Nga prokuroria që kërkon sekuestro dhe më pas këto procedura i nënshtrohen një shqyrtimi gjyqësor për të konkluduar nëse do të hiqet sekuestro apo do të konfiskohen në rast se kemi të bëjmë me një veprimtari kriminale.

Kjo është ajo që parashikon Kushtetuta, neni 42 i saj, e parashikon konventa evropiane e të drejtave të njeriut.

Ajo që ndodhi sot është në vijim të ekzekutimit pa gjyq të pronës së Prestige Resort, me tritol, për të cilën DASH u shpreh në mënyrë eksplicite duke e përmendur si një veprim që vjen për t’i mbyll gojën pronarit të një prej mediave kryesore.

Endri Xhafo: A e prisnit këtë gjë që të ndodhte?

Eduard Halimi: Avokatet e kompanisë në komunikimin që kam pasur nuk kanë pasur një njoftim për ekzekutimin e një vendimi qeverie për të kaluar në administrim nga pronar i ligjshëm në administrim të një institucioni tjetër publik.

Kanë nisur disa procese gjyqësor lidhur me vendimet antikushtetuese dhe këto e kanë burimin ne vendimin kontrovers të qeverisë sipas të cilit qeveria mund të konfiskojë prona kur ajo çmon se këto prona janë devijime të legjislacionit fiskal. Ky vendim kontrovers ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është heshtja e pafalshme e GJK dhe pritet te shqyrtohet me 11 prill.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb