Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 e ka cilësuar ekzekutimin e 25-vjeçarit Klodian Rasha, në Laprakë nga efektivi i policisë, si të pajustifikueshëm

Hajdarmataj thotë se me të gjitha informacionet që janë dhënë, veprimi i efektivit nuk justifikohet në asnjë moment, vetëm nëse 25-vjeçari ka qëlluar me armë i pari ndaj policit.

Ai thekson se për këtë rast duhet një hetim i thelluar jo vetëm për përdorimin e armës, por edhe për eprorët që kanë instruktuar policin, e kanë nxjerrë në shërbim apo nuk e kanë kontrolluar se ka qenë pa kamera.

”Nuk e besoj që s’ka pasur kamera. Realisht për mendimin tim nuk janë në favor të Policisë. Nuk justifikohet veprimi i tij në asnjë moment.

Viktima mund të ketë qëlluar mbi policinë, vetëm në atë rast justifikohet. Ka disa të dhëna që mund të jetë gjetur një armë aty afër, edhe mund të jetë gjetur.

Thjesht kemi një thënie të hedhur në informacionin mediatik, që të kemi justifikim të policit. Më vjen keq për policin që gjendet në këtë situatë, nuk është ndjenja e mirë, por këtë situatë e shoh si një frymë, po përcillet një arrogancë e paparë sa i përket shtetit në tërësi që po përcjell tek Policia. Shteti po e përcjell tek Policia. Në kushte normale, polici minimumi kur hyn në shërbim eprori i jep udhëziemt, bëni kujdes këtu, këtu, këtu. Por kur drejtori flet me arrogancë.

E sheh qytetarin si armik, dhe armikun e vret, e pret, e ekzekuton. Për mendimin tim e cënon shumë, sepse të thashë nëse ne kemi një njeri që i bën një instruktazh, dhe i thotë kujdes qytetari në fillim pastaj ti, dhe jo shih qytetar në rrugë e ndaloje. Sikur edhe ta ndjekë, të lajmërojë kolegët e tij, forcat më të specializuara, që ta neutralizojnë.

Patjetër duhet hetim i thelluar. Ai vërtet polici që ka përdorur armë është pjesa kryesore e hetimit, dhe mund të marrë dënimin. Por hetimi duhet shtrirë deri tek eprori që ka dhënë instruktazhin, apo që e ka nxjerrë në shërbim. Nëse e ka nxjerrë pë kamera në shërbim, apo s’i ka dhënë instruktazhin.

Hetimi s’mund të mbyllet vetëm brenda e përdori armën brenda ligjit apo jo. Edhe RENEA që përdor armën ka procedurë të përdorimit, dhe edhe strukturat e tjera kanë të njëjtën. Shteti vetë po e çon drejt inkriminimit Policinë, në mënyrën e organizimit, preferencave politike. Duhet të ketë disa kritere shumë të forta që të shkosh në atë strukturë. Si në RENEA, që ka kritere, norma.”- tha Hajdarmataj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb