Banorët e Rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë, e mbajnë në mend në detaje ditën kur forcat serbe, pa mëshirë ekzekutuan 31 familjarët e tyre. Për këtë krim, ata vazhdojnë ta fajësojnë shtetin serb, ndërsa në krye të aksionit, thonë se ishte Oliver Ivanovic.

Sipas dëshmitarëve, aksionin ku u vranë 31 shqiptarët në Mitrovicë, e udhëhoqi Oliver Ivanovic. Dhimbja për familjarët e vrarë nga serbët në luftë, është ende e madhe.

Pikërisht në këtë vend, Tefik Sejdiu, i ka kujtimet e fundit me babain, axhën dhe djalin e tij. Ismet, Rexhep, e Mustafë Sejdiu, ishin në mesin e 31 kosovarëve, të cilët mesditën e 14 prillit të vitit 1999, u ekzekutuan në këtë vend, që njihet si “Rruga e Kovaçëve” në Mitrovicë.

Tefiku atëkohë 14-vjeçar, e mban në mend në detaje, ditën kur forcat serbe, e rrethuan ndërtesën e tyre. Ai shpresonte që babai i tij, Ismeti, do të shpëtonte nga duart e forcave serbe.

Por, edhe Ismet Sejdiu, pati fatin e njëjtë me vëllain dhe nipin. E pasi i mblodhën meshkujt e kësaj lagjeje, ata i shtrinë me duart pas koke në këtë vend.

Por, përzgjedhjen e meshkujve, Shadije Pllana – Hoti, që në këtë masakër ka të vrarë burrin e dy vëllezërit, thotë që e bën pikërisht fqinjët e tyre serbë.
Edhe Shadija, i ka të freskëta kujtimet e asaj dite. E 6 muaj me vonë, trupat e 31 të vrarëve, do të gjendeshin brenda një varri masiv në Vidomiric të Mitrovicës.

Gjithë këtë aksion kundër shqiptarëve, sipas dëshmitarëve, e udhëhoqi ish-politikani i vrarë serb, Oliver Ivanovic. Madje, veprimet e tij atë ditë, banorët i kanë ende të freskëta.

Në këtë masakër, morën pjesë tri njësite të forcave serbe, në mesin e tyre, edhe njësiti paramilitar i njohur si Frenkit. Ndërsa në vendin ku u ekzekutuan 31 shqiptarët, është vendosur kjo pllakë përkujtimore në nderim të tyre./T7

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb