DURRES- Një ditë pas vrasjes së dyfishtë që tronditi qytetin bregdetar të Durrësit, policia nuk ka ende asnjë gjurmë të autorëve. Ervin Kodra 33 vjeç, nga Durrësi dhe Endri Çaushaj, 25 vjeç, nga Vlora u ekzekutuan me automatik, ndërsa lëviznin me automjetin e tyre tip “BMW” me targë AA292IH, në rreth-rrotullimin e Torrës Veneciane.
Të shumtë janë dëshmitarët që kanë asistuar në momentin e tmerrit, por për fat të mirë nuk kishte viktima rastësore. Pas këqyrjes së vendit janë gjetur mbi 33 gëzhoja dhe në polici janë shoqëruar rreth 30 vetë, dëshmitarë e të afërm të viktimave.

Policia ndërkohë ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes.

Skena e tmerrit
Ervin Kodra nga Durrësi, që ngiste makinën, u gjet me kokë të mbështetur në timon pas atentatit, ndërsa Endri Çaushaj kishte rënë në anë me kokën mbështetur në supin e shoferit. Sipas burimeve, vrasësit janë larguar vetëm pasi janë siguruar që objektivi i tyre kishte vdekur. Ka qenë i ati i të ndjerit, Hamdi Kodra, i cili mbërriti në vendngjarje rreth 15 minuta pas atentatit, ai që ka identifikuar të birin. Një prej policëve i ngriti kokën viktimës ndërsa të atin e mbërthyen lotët. “Bëhu i fortë”. Kjo ishte fjalia me të cilët policët që mbërritën në vendngjarje, larguan prej aty babain e viktimës. Trupat e pajetë qëndruan për rreth 2 orë në vendngjarje deri sa u bë këqyrja e vendit nga ekspertët.

Skedimi
Ka një anije peshkimi me emrin e Ervinit. I ati e pati blerë dhe i kish vënë emrin e tij, duke e bërë edhe kapiten. Kështu thonë burime nga policia e Durrësit, për të cilët Ervin Kodra nuk ishte i panjohur. Janë dy ngjarje të skeduara në polici, ku përfshihet i riu që dje mbeti viktimë e atentatit në qendër të Durrësit. Burime të policisë thonë se para disa vitesh Ervini ka plagosur me armë, te bar “Italia” Xhorxh Dedën, i njohur ndryshe si Xhorxhi i Norës.

33-vjeçari ishte i skeduar në fushën e narkotrafikut. Po kështu Policia thotë se Ervin Kodra ka qenë i akuzuar më parë për vrasje. Momentalisht ende nuk kemi asnjë të dyshuar zyrtar për vrasjen e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt, ndërsa pistat ku po hetohet janë të shumta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: