Vrasja e Ergys Dashit më 22 janar të këtij viti në Guayaquil të Ekuadorit, do i hapte rrugë një hetimi paralel në Itali, ku do të arrestoheshin dhjetëra persona, shumica e tyre shqiptarëve. Prokuroria italiane, tregon në hetimet e saj se Dashi u ekzekutua për shkak të konfliktit mes bandave, pasi ai njihej një si krerët e organizatave kriminale me veprim në Itali.

Mësohet se hetuesit nga Ekuadori kishin rënë në gjurmët e një kushëriri të viktimës, pas gjetjes së disa bisedave mes tij dhe të riut të zbuluara në telefonit e këtij të fundit.

Policia e vendit latin i kërkoi Italisë të gjurmohej personi me emrin Edmond Dashi e, për pasojë, u ra në gjurmët e një grupi me të paktën 15 persona, të cilët vepronin në Torino dhe në qytezat përreth.

Prokuroria e Torinos nisi identifikimin e personave që lidheshin me emrin e Edmond Dashit, kushëririt të Ergysit dhe zbuloi se bëhej fjalë për një grup të mirëstrukturuar kriminal dhe që kishin në fokus kryesisht trafikun e kokainës.
Sakaq, mediat në Itali shkruajnë se Policia përtej Adriatikut ka zbërthyer mënyrën se si funksiononte grupi i Dashit, me transporte miliona euroshe nga
Ekuadori në drejtim të Europës.

Sipas dosjes hetimore, grupi përdorte portet e Holandës për të sjellë kokainën nga Amerika Latine dhe më pas e shpërndante nëpër Europë. Prokuroria italiane thekson se organizatorët e grupit ishin Ergys dhe Edmond Dashi.
Këta të fundit e kishin organizuar grupin në mënyrë të atillë që funksiononte në çdo rrugë kryesore nëpër Torino duke lënë nga një përgjegjës për rajonet e Italisë si edhe në shtetet përreth.

Sipas prokurorisë italiane, Ergys dhe Edmond Dashi kishin lënë Rigels Yzeirajn si përgjegjës për rajonet qendrore të Italisë, ndërsa Bedrana Ahmiç ishte përgjegjëse për Slloveninë. Këta të fundit bënin më pas organizimin e grupit dhe realizonin shpërndarjen, theksohet në hetime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb