Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka kujtuar sot 34 vjetorin e ekzekutimit të patriotit, mësuesit dhe intelektualit Havzi Nela.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha u shpreh se pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull.

Postimi i plotë:

34 vite më parë, regjimi komunist ndërmori një nga aktet më barbare të historisë së tij famëkeqe, duke dënuar me vdekje patriotin, poetin, mësuesin dhe intelektualin, Havzi Nela, që me vargjet e tij kurajoze sfidoi diktaturën gjakatare dhe krimet kundër shqiptarëve.

Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi Havzi Nelën dhe veprën e tij, e cila u ngrit kundër përçudnimit të individit, kundër zvetënimit të vlerave individuale, kundër shkatërrimit të çfarëdolloj tradite të mirë shqiptare, që na mbajti për dekada larg Perëndimit.

Në këtë ditë kujtese, ne nderojmë shpirtin e tij të pamposhtur, që qëndroi kryelartë për lirinë dhe demokracinë, martir i të cilës ai do të mbetet në përjetësi.

Duke mos harruar të shkuarën, duke kujtuar dhe nderuar qëndrestarët dhe ata që sfiduan diktaturën, ne do të mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes refuzimit të së keqes dhe banalitetit të saj dhe bazuar mbi vlerat më të mira të shqiptarëve dhe qëndresës për liri, për demokraci dhe një Shqipëri të mundësive dhe dinjitetit për të gjithë!

Lavdi përjetë Havzi Nelës!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb