Vrasja e Aleksandër Sadikajt të shtunën që lamë pas ishte një ngjarje që tronditi opinionin publik.

I ftuar në emisionin “Shënjestër” në News24, ish-prokurori Eugen Beçi thotë se mënyra e ekzekutimit të tij me eksploziv në makinë, është një akt në kufijtë e një akti terrorist. Ai shton se këto mënyra vrasjeje janë shumë të vështira për t’u zbardhur nga hetuesit sepse është tepër e vështirë mbledhja e provave nga vendi i ngjarjes.

“Tregon se viktima ka qenë objekt jo lehtë i goditshëm dhe mënyra që është bërë ekzekutimi në kufij të një akti terrorist, nënkupton që ekzekutorët kanë treguar kujdes për të ekzekutuar patjetër.

Sa i përket ekzekutimeve me eksploziv, janë më të vështirat që tu hetuar dhe gjetur provë. Do të detyrojë policinë shkencore të kërkojnë çdo detaj sepse ka vështirësi për grumbullim provash.

Edhe një copë karte sim do ndihmonte dhe do çelë një pistë shumë të mirë”, tha ai.

Sipas Beçit autoritetet shqiptare duhet të bashkëpunojnë me autoritet e huaja, për të krijuar një skedë për të gjithë shqiptarët e skeduar jashtë, në mënyrë që të parandalohen disa ngjarje kriminale.

“Ka shumë njerëz me njerëz në Shqipëri me background të panjohur përsa i përket veprimtarisë së tyre kriminale. Janë skeduar jashtë vendit, kanë ardhur vitet e fundit në Shqipëri dhe skeda e tyre nuk është e plotë, prandaj lind nevoja që bashkëpunimi me organet ligj zbatuese në vendin tonë me organet ligj zbatuese të vendeve të tjera, ku është përqendruar kriminaliteti shqiptarë, dhe kjo nuk do na sjellë para këtyre surprizave.

Duhen update-ar emrat e kriminelëve ne tërë Evropën që kanë lidhje me shtetësi, apo lidhje me Shqipërinë, sepse do na vijnë njerëz që do kryejnë vepra penale shumë të rënda dhe do çuditemi. Duhet të fillojnë të skedohen, sepse dhe vizitat e tyre në Shqipëri për të bërë plazh të sjell ngjaje kriminale”, u shpreh ai.

Ndërkohë, gazetari Armand Bajrami, tha se Sadikjan nuk ishte një objektiv i lehtë për t’u vrarë, dhe se përpos dëshmive të familjarëve se ai nuk ruhej, rezulton se ai e ruante veten dhe ishte i kujdesshëm edhe për vendet ku parkonte makinën.

“Përpos pohimit të familjarëve, më rezulton se Sadikaj nuk ishte një objektiv i lehtë sepse ka treguar një siguri të tepruar ndaj vetes. Një person që lëvizte me armë me vete, ndërkohë që në banesë u gjetën të tjera pajime të sofistikuara, po ashtu ishte i kujdesshëm dhe në vendin ku linte automjetin”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb