TIRANË

Elton Goskova, i njohur si ‘Reqi i Korçës’, i cili ndodhet tashmë në paraburgim dhe miku i tij, Ervis K, i shpallur në kërkim, tentuan të ndikonin tek i penduari i Drejtësisë Luftar Reçi, që të ndryshonte dëshminë e tij për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt në 2005.

Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se Goskova dhe Ervis K, duke u prezantuar si persona të lidhur me Emiljano Shullazin, ky i fundit nën akuzë për vrasjen me eksploziv të Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, tentuan që përmes familjarëve, të ndikonin te i penduari.

Të dyshuarit – të cilët u vëzhguan dhe përgjuan për një kohë të gjatë – ofruan dhe para në këmbim të ndryshimit të dëshmisë nga ana e personit, që konsiderohet kyc në zbardhjen e dy krimeve të rënda. Në pamundësi për të ndikuar, ata filluan kërcënimet.

“Nëse nuk tërhiqesh, do merremi me ty e familjen tende”, kërcënuan ata. Por nuk u ndalën me keq, në sipërmarrjen e tyre kriminale. I njohuri me nofkën Reqi i Korçës dhe miku i tij, tentuan të rekrutonin një polic të burgut të Drenovës, për të ekzekutuar brenda në qeli, Luftar Recin. Punonjësi i policisë, vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë, mesa duket edhe nga frika e ndonjë hakmarrje.

Ai iu dorëzoi autoriteteve, një pluhur, që sipas ekspertizës, rezultoi të ishte një helm, që nëse do ti hidhej në ushqim Luftar Recit, mund t’i shkaktonte vdekjen. Për të shmangur cdo rrezik të mundshëm për jetën e të penduarit u morën masa të rrepta sigurie. Luftar Reçi mori statusin e të penduarit, pasi rrëfeu për dy vrasjet e bujshme.

Pas shumë hetimesh, Emiljano Shullazi, Indrit Taullai, ish anëtar i Bandës së Durrësit dhe Viktor Imeri u vunë zyrtarisht nën akuzë për ekzekutimin me eksploziv të binesmenit Lamaj. Ndërsa, ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi akuzohen për organizimin dhe ekzekutimin e Klodian Saliut, që ishte në përplasje me pjesëtarët e grupit ku më herët ai kishte bërë pjesë.

Aktualisht dosja penale, është dorëzuar në gjykatën e Posacme dhe pritet të zhvillohet seanca paraprake, ku do të vendoset kalimi ose jo i saj për gjykim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb