Presidenti i Republikës, Ilir Meta, reagon ashpër për miratimin në Kuvend të paketës “Anti-KÇK”, teksa shkruan në “Facebook” se në shtetin e PPP (Polici, Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit.

Kreu i Shtetit thekson se kjo paketë është miratuar në pabesi të plotë, një ditë para mbërritjes së Komisionit të Venecias në Tiranë, ndërsa shton se nuk kanë më vlerë as thirrjet “Ndiq paratë”.

Kjo, pasi sipas Presidentit Meta, “tashmë paratë, pronat dhe çdo pasuri do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP”.

Mesazhi i Metës:

Në shtetin e PPP (Polici Parti Propagandë) nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu.

Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit.

Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet “Ndiq paratë” se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb