Fernando Torres, sulmuesi i Atletico Madrid i njohur me pseudonimin ‘El Nino’, ka lajmëruar se ndeshja e fundit e ‘el colchoneros’ këtë sezon do të jetë e fundit edhe për të. Ky vendim i 34-vjeçarit përkon edhe me përfundimin e kontratës.

Ishte viti i largët 1995 kur ‘bomberi’ spanjoll nënshkroi për herë të parë me akademinë e Rojiblancos, duke debutuar më pas në 2001, para se të largohej në 2007 për t’u rikthyer më pas në një moment të dytë.

“Kur mbërrita në moshën 10-vjeçare, gjithmonë mendoja se Atletico do të ishte shtëpia ime,” shprehet ai në konferencën për shtyp. “E kam shijuar ëndrrën time tek Atletico.

“Dua të shfrytëzoj rastin të them se ky do të jetë sezoni im i fundit me klubin. Nuk ka qenë një vendim i lehtë, më ka munduar shumë. Duke parë realitetin, gjendjen e ekipit, besoj se është gjëja më e mirë për të gjithë.”

Ky lajm padiskutim që ka hidhëruar tifozët e Atletico Madrid të cilët sulmuesin e kanë konsideruar gjithmonë si një pjesë e familjes së tyre të përbashkët.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb