ELBASAN-E moshuara e familjes Mustafa në Elbasan tregon ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, dhe denoncon se armët u drejtuan edhe ndaj fëmijëve të mitur.

Pas ngjarjes e moshuara rome është dërguar në spital me ambulancë, pas tronditjes së pësuar. “Desh ma vranë çunin në dhomë me pistoleta. Dy makina kanë ardhur , kam par tmerr sot. ja vunë pistoletën në kokë fëmijës 5 vjeç. Vota është me dëshirë ta hedhin njerëzit ku të duan. Ç’është kjo punë kështu? me dhunë do e marrin votën. Jo jo jo me dhunë po ta marrësh me ndërgjegje, me shpirt. Erdhi dhëndri i Qazimit me një tjetër. Shtëpia e Xhevdetit ishte e vdekur me gjithë çunin. po mos largoheshin ishin të vdekur”- shprehet e moshuara.

Ngjarja
Një incident elektoral është shënuar rreth orës 20:00 të mbrëmjes së enjte në qytetin e Elbasanit. Policia bëri me dije se është kanosur me armë zjarri një aktiviste e Partisë Demokratike në lagjen “5 maji” të qytetit. Menjëherë pas njoftimit në vendngjarje mbërriti kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak Ardian Turku si dhe kryetari i grupit të Punës, Ridvan Bode. Lulzim Basha u shpreh se nuk do lejohet në asnjë mënyrë që të grabitet vota e lirë, ndërsa sipas tij bandat e Qazim Sejdinit po përpiqen të terrorizojnë votuesit në një moment kur SHBA, Kongresi Amerikan dhe Helsinki dënojnë klimën e rënduar parazgjedhore dhe premtojnë vëzhgimin e klimës zgjedhore.

“Qazim Sejdini, ky oktapod që është kapur gafil para gjithë mediave si kërcënues dhe çensurues i medias së lirë, është provuar edhe si autor i terrorit mbi komunitetin rom. Ai përdor banditët Çela për të terrorizuar aktivistët e Partisë Demokratike. Kemi informacione se Sejdini ka krijuar një rrjet mafioz të blerjes së votës kundrejt 20 mijë lekëve. I bëj thirrje Prokurorosë të nisë menjëherë hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Gjithashtu i bëj thirrje organizatave ndërkombëtare, të vëzhgojnë punën e bandave të Qazim Sejdinit. Ftoj qytetarët të votojnë për Ardian Turkun”- është shprehur Basha nga Elbasani. Ardian Turku u shpreh nga vendngjarja, se gruaja që është kanosur me armë zjarri ndodhet në spital, ndërsa do shkojë ta vizitojë së bashku me Ridvan Boden dhe kreun e PD-së Basha. Forcat e policisë kanë marrë në pyetje disa banorë dhe dëshmitarë, ndërsa paraprakisht dyshohet se kanosja me armë ndaj gruas, e cila është aktiviste e PD-së ka ndodhur për shkak të votës.


(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: