Burg pa afat ka kërkuar Prokurori Ritvan Sukaj dhe po këtë masë la në fuqi gjyqtarja Miranda Konica për punonjësin e policisë Sokol Fana si dhe për shtetasin Klodjan Hajderlli , pronar i një lokali të njohur në Elbasan të cilët u arrestuan në fundjavë për shpërdorim të detyrës.

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, ato operacionale të DPPSH në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit në Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Elbasan-Korçë e arrestuan në flagrancë tri ditë më parë punonjësin e policisë, Sokol Fana me detyrë N/Specialist në Njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

26-vjeçari ka mashtruar një shtetas nga Elbasani. Ai akuzohet se ka paraqitur gjithashtu të dhëna të rreme para Oficerit të Policisë Gjyqësore. Në cilësinë e provës materiale gjatë arrestimit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë e markës e dy aparate celularë.

Ai po hetohet si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrim” i mbetur në tentativë, “Shpërdorim i detyrës”, “Kallëzim i rremë”.

Ndërsa pronari i një prej lokaleve pranë stadiumit Elbasan Arena është i akuzuar për veprën penale të pengimit të qëllimshëm të policisë dhe prokurorisë në zbardhjen e të vërtetës që lidhet me akuzën e ngritur ndaj punonjësit të policisë.

Ndërkaq ai ka fshirë qëllimisht pamjet filmike dhe ka zhdukur kamerat e sigurisë të lokalit në pronësi të tij.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb