NGA OLSJAN TOPALLI

ELBASAN- Në arsimin parauniversitar është e sanksionuar me ligj prania e një psikologu në shkollë. Ministra e Arsimit ka bërë një ndarje të tyre nëpër shkolla, ku një psikolog me punën e tij mbulon deri në 4 apo 5 shkolla. Ndërkohë, nxënësit të cilët kanë nevojë për një konsultë me psikologun/en e institucionit të tyre, më parë duhet të jenë të informuar se kur është data dhe dita e konsultave me ta në shkollën e tyre. “Dukuritë apo fenomenet më të shpeshta që përballen sot të rinjtë janë frika dhe pasiguria që ata kanë në vetvete për shkak të moshës relativisht të re. Zënkat në familje, ku shpeshherë ata mund të jenë pre e dhunimit. Diskriminimi racor, shumë prej tyre e përjetojnë keq këtë aspekt shoqëror.

Stadi ekonomik, ata që janë më të pasur ndihen superiorë ndaj atyre që kanë një ekonomi më të dobët familjare. Vendi nga vijnë, shumë të rinj që vijnë nga zonat rurale, ndihen të vetmuar teksa kanë kontaktin e parë me realitetin urban. Këto janë fenomene, që shumë të rinj e të reja duhet t’i konsultojnë me psikologun, në mënyrë që të kemi një mbarëvajtje të mirë të shëndetit psikologjik të adoleshentëve, të cilët janë më të ndjeshmit kundrejt dukurive të ndryshme sociale”, – shprehet psikologu Arianit Bezhani për “Gazeta Shqiptare”.

Sipas tij, “aftësia e të menduarit të të rinjve ka ndryshuar shumë. Ata nuk kanë më ndrojtje për të folur hapur për problemet e tyre me psikologun, por mungesa e këtyre të fundit në shkolla bën që ata t’i mbyllin brenda vetes problemet e tyre, apo dhe të flasin me shokët apo shoqet e tyre, ndërkohë që këshillat e tyre mund të mos jenë të duhurat. Po ashtu, krahas kësaj ai shton se duhet të jenë drejtuesit e shkollave, ata të cilët duhet të bëjnë kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit për të pasur një psikolog të përhershëm në çdo kohë në ambientet shkollore, sepse dita-ditës po rritet me ritme të shpejta nevoja e tyre në institucionet arsimore.

Nga konstatimi i këtij problemi, “GSH” kontaktoi me drejtoreshën e gjimnazit “Ahmet Dakli” në Elbasan, z. Mimoza Belshi. Ajo u shpreh se psikologia në institucionin që ajo drejton është e pranishme në këtë shkollë vetëm të enjteve. Po ashtu, pas kontaktimit me të, të njëjtën gjë pohoi edhe drejtori i gjimnazit “Dhaskal Todri”, Elbasan, Gazmend Haxhiymeri, ai tha: “Prezenca e përhershme e psikologut në shkollë është e domosdoshme, pasi adoleshentët, shumë prej të cilëve vijnë nga familje me probleme sociale e kanë të nevojshëm komunikimin”.

E njëjta situatë është edhe në shkollat e tjera të qytetit, ku prania e psikologëve nëpër këto ambiente është vetëm një ditë në javë. Pas hulumtimeve në terren, shumë nxënës të shkollave të ndryshme u pyetën për psikologun, nga kjo u bë me dije se ata vetëm e njihnin se kush është, por nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të, apo të tjerë që nuk i dinë as emrin. Ndërsa ato që janë më të prirurit për të folur me psikologët janë femrat në përgjithësi për vetë faktin se edhe psikologet më të shumta janë femra”, thotë Arianiti. Por, është rritur ndjeshëm edhe numri i meshkujve, të cilët bëjnë konsulta tek psikologu, ku flasin për problemet apo shqetësimet e ndryshme që ata kanë.

Po ashtu, ata që luajnë një rol kyç në edukimin e të rinjve janë prindërit, duke qenë se janë të predispozuar që t’u plotësojnë çdo tekë fëmijëve të tyre, harrojnë që mbështetja dhe një komunikim i mirë, i ngrohtë është më i rëndësishmi për ta, në formimin e tyre si individë. Shoqëria është një faktor tjetër i rëndësishëm që luan rol kyç në mbarëvajtjen e të rinjve. Duke qenë të ndikuar prej dukurive të ndryshme shoqërore, shumë të rinj janë prirur të fitojnë fenomene negative, të shtyrë edhe nga ambienti shoqëror. Kryesisht, janë meshkujt ata që tërhiqen apo tundohen nga shokët e tyre drejt gjërave jo të hijshme.

“Më problematike paraqiten zonat urbane, të cilat kanë më tepër nevojë për asistencë sociale. Ata për shkak të një largësie të konsiderueshme nga qendrat urbane, kanë mungesë të theksuar informacioni. Mjetet e informimit janë të pakta dhe fenomenet shoqërore perceptohen me vështirësi”, përfundon fjalën e tij Z. Bezhani. Fenomenet sociale dhe mënyra se si të rinjtë përpiqen t’u japin zgjidhje problemeve që kanë, përbën edhe punën kryesore të një punonjësi social në një shkollë. Evidentimi i moshave që janë të ndjeshëm ndaj këtyre problemeve të shumta shoqërore e bën të domosdoshme prezencën e një psikologu në shkolla dhe një bisedë e mirë me të do të ulte ngarkesën e rëndë emocionale që adoleshentët kanë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: