ELBASAN

Kreu i degës së PD për Elbasanin, Eugen Isai gjatë një thirrje publike drejtuar banorëve të këtij qyteti ka kërkuar prej tyre të bëhen pjesë e protestës të së shtunës në orën orën 18.00 në Tiranë.

Sipas Isait kjo është protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë për të rrëzuar Edi Ramën.

“Deri më tani, protestat madhështore të opozitës kanë dëshmuar se Kryeministri nuk është më legjitim dhe se qeveria ka rënë. Këto protesta kanë njohur vetëm rritje, dhe se nuk janë vetëm opozitarët që protestojnë, por edhe qytetarët e thjeshtë. Ekzistojnë një sërë arsyesh pse të shtunën ne duhet të derdhemi në shesh dhe ti themi njëherë e mirë fund këtij neodiktatori. Siç e keni konstatuar situata në vend ka dalë jashtë kontrollit. Rendi dhe qetësia kanë degraduar.

Vrasjet vjedhjet, grabitjet me dhunë, trafiqet etj, kanë shpërthyer si asnjëherë. Qytetarët ndjehen të pa mbrojtur dhe të pasigurtë në rrugë, në punë, në shtëpitë e tyre. Sepse policia e ka mendjen që të ushtrojë dhunë dhe ti helmojë ata me gaz. Të vendosë gjoba dhe tu bëjë presion. Ne duhet të protestojmë për gjithçka që nuk realizoi kjo qeveri. Për papunësinë, për mashtrimet që u bëri shqiptarëve për shëndetësinë, për falimentimin e biznesit, për shërbimet, për korrupsionin në administratë, për varfërinë, për humbjen e shpresës. Ne duhet të protestojmë për gënjeshtrat që u bëri ky kryeministër fermerëve me subvencionet, për braktisjen dhe përbuzjen që ka për fshatin. Për shkatërrimin e sistemit arsimor. Për degradimin e arsimit të lartë. Për rrogat dhe pensionet më të ulëta në Evropë.”- u shpreh ai.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb