Nga FATMIR POPJA*

 

ELBASAN – Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj 6 tifozëve të përfshirë në dhunën e ushtruar në në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena” mbrëmjen e të dielës gjatë pjesës së dytë të ndeshjes Elbasani-Tirana që u mbyll me fitoren e bardhebluve me rezultatin 2-3.

Sipas burimeve zyrtare për momentin janë proceduar penalisht tifozët Naim Xhepa, Agron Xhepa, Mustafa Skilja, Përparim Shermadhi, Adnand Miraku dhe Klevis Buzo. Ndërkohë, policia e Elbasanit në bashkëpunim me atë të kryeqytetit, po vijon punën për të identifikuar të gjithë tifozët që “kontribuan” në aksionin masiv për shkatërrimin e të paktën 126 stolave të stadiumit “Elbasan Arena “.

Nga ana e tij, Drejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Neritan Nallbati, gjatë një konference për shtyp , theksoi se në bazë të kërkesës zyrtare të bërë nga FK.Elbasani sh.a, Komisariati i këtij rrethi kishte marrë të gjitha masat organizative për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje duke dislokuar në stadium 95 forca policore.

Sipas Nallbatit, të gjithë tifozët që u futën në “Elbasan Arena” i janë nështruar kontrolleve të rrepta kur kanë kaluar kordonët e sigurisë, ndërsa para fillimit të takimit mes Elbasanit dhe Tiranës asnjëri prej drejtuesve të këtyre klubeve nuk paraqiti para drejtuesve të policisë as edhe shqetësimin më të vogël për masat e marra për garantimin e mbarëvajtjes së kësaj sfide.

Edhe në pushim pas pjesës së parë duke marrë shkas nga disa incidente sporadike të shfaqura në fillim të ndeshjes, u kontaktuan drejtuesit e klubeve duke u kërkuar që prej tyre të bëhej maksimumi për zbutjen e shenjave të tensionit të shfaqur në mes të tifozërive.

Gjatë mesit të pjesës të dytë të kësaj ndeshjeje, kur grupe të tifozërisë së Tiranës dhe asaj të Elbasanit tentuan të konfrontoheshin në shkallët e stadiumit, policia reagoi me profesionalizëm dhe në pak minuta arriti të neutralizonte situatën e “nxehtë”.

Fatmirësisht, megjithë incidentet e shfaqura, nuk pati asnjë të lënduar në shkallëte stadiumit si dhe nuk pati as edhe një rast që ndonjë tifoz të mund te të futej në fushën e lojës.Pasojat më të mëdha të shkaktuara nga këto incidente ishin dëmet materiale të shkaktuara nga disa tifozë vendas dhe të Tiranës të cilët po identifikohen dhe patjetër që do të vihen përpara ligjit në bazë të provave e fakteve të dokumentuara pasi janë sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë së stadiumit “Elbasan Arena“.

Nallbati bëri me dije se ndodhia e këtyre incidenteve do të analizohet me një përgjegjshmëri maksimale nga ana e këtij institucioni në mënyrë që raste të tilla të mbeten vetëm një kujtim i së shkuarës.

ar.sh/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb