(foto ilustruese)

ELBASAN- Sot më 27 Qershor është përkujtuar në qytetin e Elbasanit genocidi grek kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Në këtë datë përkujtohet me dhimbje genocidi dhe terrori grek kundër popullsisë çame, ndërkohë që Shoqata Patriotike “Çamëria” ka organizuar sot disa veprimtari në kuadër të kësaj date përkujtimore.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve përujtuese janë vendosur kurora me lule edhe në memorialin “Klithma”.

27 qershori është regjistruar në kalendarin e kombit si dita e genocidit të shovinizmit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Më 27 qershor 1944 forcat e Regjimentit të 16-t të Divizionit të X të EOEA-s në Greqi nën komandën e kolonel Vasil Kamarës të udhëhequra nga Kranjaj me ndihmës Lefter Strugari, avokat Stavropullas, Ballumi, Zato, Pantazejtë, etj., hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullai nga njëra anë dhe Shopera me dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër, si agjentë të Zervës, filluan masakrat. Burra, gra dhe fëmijë të pambrojtur qenë objektivi i monarkofashistëve grekë. Numri i të masakruarave në qytetin e Paramithisë dhe rrethe arrin në 600 vetë.

Trojet etnike të Çamërisë u zbrazën nga banuesit e saj nën dhunën që mbillte vdekja dhe mijëra refugjatë kaptuan kufirin për t’u sistemuar në Shqipërinë komuniste. Gjithçka nisi me përcaktimin e kufijve në vitin 1931 dhe mbetjes larg trungut shqiptar të krahinës së Çamërisë. Dhuna shpërtheu gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me forcë qindra banorë të krahinës së Çamërisë nga trojet e tyre etnike, duke i dëbuar drejt Turqisë me pretekstin se ishin turq, për shkak të besimit mysliman. Por, kjo shpërngulje masive nuk do të përfundonte këtu. Genocidi grek i nisur në qershor të vitit 1944, do të ishte fatal për popullsinë shqiptare në krahinën çame. Shqiptarët e kësaj krahine, ashtu si edhe gjithë Shqipëria, u akuzuan se kishin bërë aleancë me fashistët në dëm të grekëve. Dhe për këtë duhet të paguanin. Më famëkeqi ishte një gjeneral i quajtur Zerva. Forcat e tij detyruan afro 250.000 shqiptarë të lënë trojet e të parëve të tyre dhe të largohen. Që t’i detyronin të largoheshin, ndaj popullsisë çame është ushtruar dhunë që zakonisht përfundonte me ekzekutime masive. Afro 6.000 çamë u masakruan, u vranë ose u gjymtuan. Trojet e tyre etnike si Margëllici, Igumenica, Para-mithia, Filati, Konica e të tjera mbetën të shkretuara. Dëmet materiale ishin të pallogaritshme. Shtëpitë u shkatërruan, gjithçka kishin u detyruan ta braktisin. Kështu popullsia çame mori rrugën drejt Shqipërisë, ku u vendos në qytete të ndryshme të vendit, si në Fier, Vlorë, Durrës, Tiranë, Elbasan, etj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: