Shtyhet seanca ndaj Suel Çelës dhe dy të akuzuarve të tjerë, për sulmin ndaj policisë në hyrje të tregut Agroushqimor në Elbasan.

Shkak është bërë shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të njërit prej anëtarëve të trupës gjykuese Luan Hasneziri.

Në këtë seancë duhet të pyeteshin dy dëshmitarë të thirrur nga prokurori për të cilët më herët gjykata kishte urdhëruar shoqërimin e detyrueshëm.

Suel Çela që ndodhet në arrati dhe Klemend Xhaferri që ndodhet në burg i kanë dërguar gjykatës deklaratat duke kërkuar që të mos jenë më të pranishëm në seanca, por të përfaqësohen nga avokatët e tyre Sokol Hazizaj dhe Genc Gjokutaj.

Ndërsa Enea Bekteshi sipas gjykatës nuk e ka bërë një deklaratë të tillë dhe për këtë arsye do të njoftohet për seancën e ardhshme, e cila u la për në datë 11 korrik ora 9.00. Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda do të hedhë shortin për të caktuar gjyqtarin e tretë në këtë proces që do t’i bashkohet Fan Prendit dhe Klodian Kurushit.

Suel Çela akuzohet nga prokuroria si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi në shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut Gjergj Oshafi dhe disa oficerëve të tjerë. Nën akuzë për këtë ngjarje, janë vënë edhe dy miqtë e tij, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri.

Incidenti, nga i cili u publikuan dhe video atë kohë shkaktoi një reagim të madh në radhët e strukturave të policisë së Shtetit dhe lëvizje dhe tërhoqi vëmendjen duke u bërë lajmi kryesor në mediat shqiptare.

  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: