ELBASAN- Një infermier i spitalit të Elbasanit është arrestuar mëngjesin e sotëm pasi akuzohet se ka tentuar të abuzojë seksualisht me një paciente të mitur. 26-vjeçari Everest Duka nga Elbasani, me detyrë infermier në pavijonin e Nefrologjisë në spitalin “Xhaferr Kongoli” të këtij qyteti, është arrestuar pas denoncimit të prindërve të pacientes 16-vjeçare.

Arrestimi i tij u bë nga specialistët e Krimeve, pas kallëzimit të bërë nga pacientja e mitur, kallëzim i bërë në prani të psikologes dhe të familjarëve.

“Everest Duka ka qenë me shërbim në pavijonin e Nefrologjisë në spitalin “Xhaferr Kongoli ” Elbasan, ku punonte si infermier, dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me pacienten e tij, shtetasen S.B, 16 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.

PEZULLOHET NGA DETYRA INFERMIERI DUKA, DREJTORIA E SPITALIT TË ELBASANIT: PRESIM HETIMET
Drejtoria e spitalit të Elbasanit ka pezulluar nga detyra infermierin 26-vjeçar Everest Duka, i cili akuzohet për ngacmim seksual të pacientes 16-vjecare. Ndërkaq po priten rezultatet e hetimeve për të proceduar ndaj këtij rasti.

“Presim hetimet për rastin në fjalë. Në zyrat tona nuk ka pasur asnjë ankesë kundrejt infermierit. Denoncimin e kemi mësuar nga policia”, thuhet në reagimin e drejtorisë së spitalit të Elbasanit.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb