ELBASAN- Edhe në Elbasan është përkujtuar “5 maji”, dita e dëshmorëve të Atdheut, ku në homazhet për ta kanë marrë pjesë qindra banorë, veteranë të luftës, përfaqësues të pushtetit lokal në qytetin e Elbasanit, përfaqësues të partive politike të majta PS e LSI, së bashku me deputetët e zonës.

Mes tyre, deputeti i Elbasanit, kritiku i rilindjes, Ben Blushi është shfaqur në krah të kryebashkiakut socialist Qazim Sejdini, i cili rikandidon për një mandat të tretë.

Kujtojmë se pavarësisht kritikave që kohët e fundit nuk po i kursen në drejtim të qeverisë dhe mazhorancës, Ben Blushi ka deklaruar gjithashtu se do të mbështesë kandidatët e majtë për zgjedhjet lokale.

Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve, është vizituar edhe muzeu ku ndodhen fotot e dëshmorëve të rënë në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që kurora me lule u vendosën edhe në varret e policëve të rënë në krye të detyrës.

Në Elbasan u zhvilluan mjaft veprimtari kushtuar Heroit të popullit Qemal Stafa, në ditën kur ai u vra, e cila u kthye në datë simbol për kujtimin e gjithë Dëshmorëve të Atdheut.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb