Nga Fatmir Popja- Elbasani shpallet fitues i Grupit B në Kategorinë e Dytë, duke u ngjitur në të Parën. Fitorja në shifrat 5 me 0 përballë Maliqit në ndeshjen e djeshme i siguroi elbasanasve ngjitjen, të cilët qëndruan vetëm një sezon në të Dytën. Një kampionat për t’u vlerësuar ky për elbasanasit, të cilët e morën seriozisht dhe ia dolën që ta ngjisnin Elbasanin. Sa i përket ndeshjes ajo nuk pati shumë histori, pasi verdheblutë fituan thellësisht 5 me 0.

NDESHJA – Elbasanit i mjaftonte edhe një barazim për të siguruar ngjitjen, por në fushë hynë për të fituar. Që në fillim vihen në kërkim të golit, por ai do të vinte në minutën e 30 me anë të të përhershmit Luta. Kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1 me 0, vendasit fitojnë një penallti në fundin e këtij fraksioni.

E merr përsipër Kotorri dhe me një parabël e dërgon sferën në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet në shifrat ë me 0. E dyta nis menjëherë me gol dhe është sërish Luta që shënon dopietën personale dhe të tretin për Elbasanin. Maliqi nuk bën shumë reziztencë, ndërsa verdheblutë nuk ngopen me gola. Është radha e Kasës për të shënuar, duke i dërguar shifrat në 4 me 0.

Për të mbyllur përfundimisht serinë e golave mendon A. Lleshi, i cili e çon ndeshjen në 5 me 0. Nuk ka më histori dhe Elbasani ngre trofeun e Kategorisë së Dytë në Grupin B, me shpresën që të enjten te munde edhe Vorën dhe të shpallet kampion i kësaj kategorie.

ERIOL MERXHA –trajner i Elbasanit: “Së pari dua te falënderoj djemtë për arritjen e këtij objektivi, pavarësisht se muk ka qenë e lehtë për ne. Kemi bërë një kampionat të mirë dhe jo më kot qëndruam në krye dhe pa asnjë humbje. Tani kemi përpara edhe ndeshjen me Vorën, ku do të kërkojmë vetëm fitoren. Elbasani meriton të qëndrojë më lart dhe kemi besim se në të ardhmen do të rikthehemi aty ku na takon”.

ELVIS KOTORRI –kapiten i Elbasanit: “Kemi merituar gjithçka për këtë sezon, ku edhe arritëm objektivin për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Këtë trofe ia dedikoj vajzës time të vogël. Dua të falenderoj edhe te gjithë djemtë për atë që treguan gjatë këtij sezoni, por kemi edhe finalen me Vorën ku do të synojmë ta fitojmë edhe këtë trofe”

GOLAT: Luta 30′, 47′, Kotorri 44′ (p), Kasa 54′, A. Lleshi 70′

ELBASANI: Kotorri (Moli 76′), Ukaj, Dishani, Suvarija, Mici, Bullari (Kasa 46′), J. Lleshi, Duka, Beqiri (Hyshmeri 46′), A. Lleshi, Luta. Trajner: E. Merxha

MALIQI: Mara (Vollga 73′), Zyfi, Ametlli, Jaupllari, Make, Trëndafili, Çaushllari, Ivani (Bashllari 55′), Çelniku (Ramo 60′), Meçollari, Tako. Trajner: E. Malesija

KARTON I VERDHË: Çaushllari 34′

GJYQTARË: L. Mustafaraj, I. Cani, A. Kyçyku (Tiranë)

VËZHGUES: Vasil Angjo (Pogradec)

DELEGAT: Petrit Haxhija (Tiranë)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb