TIRANË

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në facebook, pas takimit me Presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Basha shkruan se me zonjën Osmani biseduan ndër të tjera edhe  për nevojën e eleminimit të barrierave zyrtare dhe jo zyrtare të cilat pengojnë integrimin ekonomik midis dy vendeve tona.

“Për këtë një nga vendimet e mia të para si kryeministër do të jetë heqja e traut në rrugën e Kombit, si dhe negocimi me qeverinë kosovare për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën “Ibrahim Rugova”.” shkruan Basha.

Postimi i plotë:

Mirëprita sot në një takim vëllazëror ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës zonjës Vjosa Osmani. Në takim i shpreha asaj domosdoshmërinë për një qëndrim të unifikuar mes Tiranës dhe Prishtinës në arenën ndërkombëtare sa i përket gjithçka që lidhet me Kosovën si dhe zotimin tim dhe të Partisë Demokratike se pas 25 prillit do të ketë një kthesë rënjësore, një ndryshim rënjësorë të qasjes së Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në rafsh të parë.

U zotova gjatë takimit se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët. Askush nuk do të mund ta përbaltë luftën e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht dialogun Serbi-Kosovë, por padiskutim qëllimi dhe përfundimi është dhe duhet të jetë njohja e ndërsjelltë e dy shteteve për të përfunduar kështu një kapitull të dhimbshëm dhe për të hapur rrugën e stabilitetit demokratik dhe integrimit europian të të gjithë shoqërive tona, që është aspirata e çdo qytetari të Kosovës, Shqipërisë, jam i sigurt edhe i vendeve të tjera të rajonit.

Me zonjën Osmani folëm dhe për nevojën e eleminimit të barrierave zyrtare dhe jo zyrtare të cilat pengojnë integrimin ekonomik midis dy vendeve tona. Për këtë një nga vendimet e mia të para si kryeministër do të jetë heqja e traut në rrugën e Kombit, si dhe negocimi me qeverinë kosovare për mosvendosjen e asnjë pengese tarifore në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Si përfaqësues të brezit të ri të politikës shqiptare do të bëjmë gjithçka për të forcuar ekonomitë tona si dhe për të rikthyer shpresën dhe besimin e rinisë dhe gjithë qytetarëve për të ndërtuar jetën e tyre përmes dinjitetit dhe punës.

Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha potencialet e lidershipit politik të profesionalizmit për të udhëhequr në luftën kundër korrupsionit, të kapjes së shtetit dhe krimit të organizuar, që është një parakusht për të ndërtuar një ekonomi të fortë, me vende pune për qytetarët, me vende pune për rininë dhe mirëqenie për të gjithë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb