VJENË- Drejtori i Radio-Televizionit Shqiptar, Martin Leka, i cili ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi në Eurovizion përfaqësuesen shqiptare, Elhaida Danin, e ka cilësuar të pakuptimtë procedurën e votimit që ndiqet në këtë konkurs. Në një lidhje telefonike për News24, Leka pohoi se ‘ka diçka që nuk shkon me mënyrën e votimit’. Teksa hodhi poshtë se vota jepet në bazë të gjeopolitikës, Leka mori shembullin e Italisë, e cila nuk i dha asnjë pikë këngës së Elhaidës, pavarësisht se Shqipëria i dha 12 të tilla.

“Ka diçka që nuk shkon me procesin e votimit dhe procesit e votimit të EUROVIZON. Kësaj radhe kemi pasur një produkt për tu vlerësuar. Pasi kemi marr vlerësime nga këngëtarët. Me ekipin Spanjoll kemi bërë një debat në lidhje me procesin e votimit. ka diçka që nuk ndodh. Kjo nuk besoj se votimi ynë është gjeopolitik, pasi Italisë i kanë dhënë 12 pikë. Atëherë do binim në kurthin gjeopolitik ne vetë.”, tha Leka.

Leka shtoi më tej se ky festival ishte i rëndësishme, dhe se kënga arriti të përcillte mesazhin e saj tek publiku për vlerat që ajo mbarte.

“Për ne ky festival është i rëndësishëm, dhe jemi mundur që ta lëmë të lirë jurinë. Megjithatë ne nuk kemi ardhur të bëjmë debatin e pive, por të përçojmë në Eurovizion vlerat më të mira të muzikës, dhe ja dolëm për të përçuar ato. Nga të gjitha komentet, blogjet, dhe pritshmëria ishte e lartë. Shqiptarët kësaj radhe kanë qenë në një unanimitet dhe na kanë përkrahur gjithandej. S’mund të them se jemi të zhgënjyer, por nga një anë jemi të qetë nga një anë pasi të gjithë e dinë se ka diçka që nuk shkon. Ne kemi dhënë më të mirën e mundshme në këtë Eurovizion.”, përfundoi Martin Leka.

Pas suksesit që arriti në natën e parë duke u kualifikuar për në finale të Eurosong, këngëtarja shqiptare, Elhaida Dani, e cila siguroi 34 voto, solli sërish emocione të forta në natën e madhe të finales, e cila u mbajt në Vjenë të Austrisë, por renditja nuk ka qenë e kënaqshme.

Performanca e saj ishte padiskutim më e mirë se në natën e parë dhe zëri i saj ka arritur të mbushë skenën gjigande të Festivalit Europian duke marrë duartrokitjet e publikut. Në natën finale performuan 27 vende, ndërsa Elhaida Dani këndoi e 26-ta. Në fund të gjitha shtetet kanë dhënë pikët e tyre pas televotimit.

Pikët maksimale, 12 pikë Shqipëria ja dha Italisë, 10 pikë Greqisë dhe 8 pikë Rusisë. Pikët maksimale Elhaida Dani i ka marrë nga Maqedonia, Mali Zi ka dhënë 10 pikë për Shqipërinë, ndërsa Greqia 6 pikë. Serbia nuk i ka dhënë Shqipërisë asnjë pikë, por ne i kemi dhënë 2 pikë. Por ajo që ka bërë më shumë përshtypje ka qënë Italia, e cila nuk i ka dhënë asnjë pikë Elhaida Danit që fitoi ‘The Voice of Italy’.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: