NGA: AURORA KOROMANI* TIRANE- Fluksi i madh i sh qiptarëve të larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian për të përfituar azil, nuk e rrezikon regjimin e vizave për Shqipërinë. Kështu shprehet zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, në të cilën tregon se cilat janë 7 itineraret që kanë ndjekur shqiptarët kohët e fundit për t’u larguar jashtë, kryesisht në Gjermani. Gjebrea sqaron se në kufi gjatë ditëve të fundit mesatarisht refuzohen afro 100 persona, të cilët nuk plotësojnë kushtet e qëndrimit në vendet e zonës Shengen apo që nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Çfarë po ndodh me çështjen e largimit të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së?
Javët e fundit ka një diskutim të gjerë, në të cilin është përfshirë dhe politika, çka ka tërhequr vëmendjen e medias dhe opinionit. Por dua të garantoj se nuk është asgjë më shumë se një fluks masiv i lëvizjes drejt zonës Shengen. Shqetësuese është kërkesa për azil të shumë shtetasve shqiptarë në Gjermani, sidomos duke filluar nga fillimi i muajit prill.

Cilat janë arsyet e largimit të shqiptarëve?
Nuk dua të them se Shqipëria është një parajsë ekonomike apo se këtu nuk ka të varfër. Por, numri i azilkërkuesve është i pajustifikueshëm. Më tepër se largim i shqiptarëve, mund të them se është një fenomen rajonal i kërkimit të azilit në BE, që nuk ka lënë pa prekur as Shqipërinë. Megjithëse autoritetet vendase e kanë përsëritur qartë se nuk ka asnjë shans për të fituar azil ekonomik, sërish ka një fluks lëvizjesh. Në analizën tonë, janë disa faktorë që ndikojnë në zgjedhjen e kësaj aventure, për dhjetëra shqiptarë që shesin pasuri për t’i hyrë një rruge që nuk të çon askund. Një ndër to është edhe zgjatja nga 3 deri në 4 muaj e kohës së përgjigjes për aplikuesit. Kjo periudhë interpretohet si mundësi shprese për fitimin e azilit, por në fakt nuk është kështu. Ne kemi vendosur kontakte të shpeshta me vendet ku ka një numër të lartë kërkesash për azil, për t’i shkurtuar këto afate. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri takoi në datën 27 prill homologun gjerman në Berlin për këtë çështje. Mesazhet qenë të qarta: Nuk ka azil në Gjermani dhe shumë shpejt do të fillojë kthimi në atdhe i azilkërkuesve. Por, nuk përjashtohet as mundësia, se kompani të caktuara udhëtimi apo individë mashtrojnë qytetarët, dhe kjo është duke u hetuar dhe gjurmuar nga MPB.

Cila është skema që ndjekin shqiptarët për t’u larguar nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së dhe çfarë u premtohet shqiptarëve në këto vende, sipas të dhënave që ju keni deri tani?
Itineraret e tyre konsistonin në drejtimet: Vlorë-Brindisi-Milano-Gjermani; Durrës-Bari/Ankona- Gjermani; Kukës-Prizren- Maqedoni-Serbi-Hungari; Kukës-Prishtinë-Serbi-Hungari; Devoll-Selanik-Frankfurt; Kakavijë-Igumenicë- Itali-Gjermani; Muriqan- Mal i Zi-Kroaci-Slloveni- Austri.

Ditët e fundit ka pasur raportime të ndryshme për shifrat e personave të larguar; ju si institucion, keni shifra se sa është numri i personave të larguar jashtë Shqipërisë, kryesisht ditët e fundit?
Numri total i daljeve nga Shqipëria për periudhën 1 prill 2015 deri në datën 24 prill 2015 është 277.455 dalje. Nga porti i Durrësit dhe porti i Vlorës kanë dalë 16.141 persona. Sa është numri i personave që janë kthyer në kufi ditët e fundit dhe cilat kanë qenë arsyet? Numri i refuzimeve në kufi është në varësi të fluksit të daljeve dhe respektimit të kushteve të udhëtimit. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit refuzohen në dalje mesatarisht rreth 100 persona, pa llogaritur në këtë shifër familjarët e tjerë që shoqërojnë personin të cilit i refuzohet dalja. E për këtë, arsye kryesore janë: mosjustifikimi i qëllimit të udhëtimit; kanë qenë të kthyer ose u është refuzuar hyrja në hapësirën Shengen; mungesa e dokumenteve mbështetëse (ftesa, figuracione, prenotime etj.), mungesa e mjeteve financiare. Nëse situata do vijojë e tillë, a rrezikon seriozisht Shqipëria regjimin e vizave? Nuk ka asnjë rrezik për kthimin e regjimit të vizave. Me këtë rast dua të përfitoj të qetësoj çdo qytetar që i është zgjuar ky shqetësim nga zhurma e krijuar javët e fundit, se Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë po mbikëqyrin me kujdes situatën. Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që në lëvizjen e tyre në zonën Shengen të respektojnë rregullat e lëvizjes së lirë.

Cilat janë vendet që shqiptarët kanë zgjedhur për të kërkuar azil?
Shtetasit shqiptarë preferojnë të kërkojnë azil kryesisht në Gjermani dhe më pak në vende si Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika.

Cilat janë masat që janë marrë në pikat kufitare dhe për sa kohë do vijojnë këto masa?
Polica Kufitare dhe e Migracionit nuk ka marrë masa të veçanta, veç shtimit të personelit, por vazhdon të kryejë normalisht punën e saj mbështetur në Procedurat Standarde të Punës. Sigurisht, në këtë situatë të krijuar është më vigjilente, duke u bazuar te rregullat që janë për lëvizje në vendet Shengen. Procedurat që ndiqen aktualisht janë ndjekur edhe më parë, me diferencën se është rritur ndjeshëm numri i shtetasve të cilëve u refuzohet dalja, për shkak të arsyeve të renditura edhe më sipër. Sipas raporteve të publikuara së fundmi, Shqipë- ria renditet ndër vendet e para për kërkimin e azilit në vendet e BE-së.

Në fakt, si renditemi ne sipas të dhënave tuaja dhe çfarë do bëni ju për ta minimizuar fenomenin?
Gjatë vitit 2015 rezulton se numri i azilkërkuesve, sipas EUROSTAT-it dhe nga të dhënat e dërguara nga oficerët e kontaktit, të jetë: Në muajin janar kanë kërkuar 2295 shtetas, nga të cilët, 1598 në Gjermani, 100 në Suedi, 47 në Belgjikë, 188 në Francë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar nuk i ka raportuar të dhënat e saj. Në muajin shkurt kanë kërkuar azil 2091 shtetas, nga të cilët, 1735 në Gjermani, 130 në Suedi, 187 në Francë, 39 në Belgjikë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar nuk i ka raportuar të dhënat e saj. Më muajin mars kanë kër-kuar azil 3281 shtetas, nga të cilët, 30120 në Gjermani, 215 në Francë, 46 në Belgjikë, ndërsa vendet e tjera, sipas oficerëve të kontaktit, nuk i kanë hedhur të dhënat e tyre në EUROSTAT. Është shënuar një rritje me 56% krahasuar me muajin shkurt 2014.

Çfarë do t’u thoshit të gjithë shqiptarëve që po largohen?
Shqipëria është vendi i mundësive të mëdha, me gjithë vështirësitë e natyrshme. Kemi kaluar një periudhë të gjatë në komunizëm dhe në mohim të shumë të drejtave, përfshirë dhe të lëvizjes së lirë. Për shkak se Shqipëria është një vend i sigurt dhe demokratik, nuk ka asnjë mundësi për azil në vendet e BE-së. Kushdo që tenton të përfitojë azil në vendet e BE-së, dëmton jo vetëm, por edhe imazhin e vendit në rrugëtimin e tij për në BE. Qeveria shqiptare është e angazhuar për të përmbushur të gjitha reformat dhe për të kontribuar në dobi të mirëqenies si dhe prosperitetit ekonomik e social. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ndan të njëjtin qëndrim me homologun gjerman në vizitën e fundit në Berlin, që të shkurtohen procedurat e trajtimit të kërkesave për azil, pasi koha e gjatë e qëndrimit aty kthehet në element abuzimi dhe mashtrimi.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: