TIRANE – Në kuadër të zbatimit të procesit të dekriminalizimit, KQZ ka ngritur strukturën e posaçme për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit dhe ka pranuar depozitimin e 1828 formularëve nga 1836 funksionarë që kanë detyrimin sipas këtij ligji, deri në datën 4 maj e cila ishte data e fundit, për pranimin e formularëve. Formularët e vetëdeklarimit janë regjistruar në regjistrin e veçantë me numrin unik të identifikimit.

Zëdhënësja e KQZ-së bëri të ditur se nga verifikimi i subjekteve vetëdeklaruese ka rezultuar se:
1. 5 vetëdeklarime janë bërë nga subjekte që nuk mbartin detyrimin për vetëdeklarimin në KQZ. Këto vetëdeklarime do t’i përcillen KQZ-së me propozimin për kthimin mbrapsht të praktikave
2. 53 këshilltarë bashkiakë, nuk kanë bërë deklarimin brenda afatit ligjor, emrat e tyre do t’i përcillen KQZ-së me propozimin për kryerjen e procedurave për heqjen e mandatit të tyre.
3. KQZ ka nisur procedurat për verifkikimin e të dhënave për të gjithë subjektet vetëdeklaruese, pranë zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të gjendjes gjyqësore sikundër e kërkon ligji.
4. Prokurori i Përgjithshëm me shkresë të datës 10 maj 2016, i ka kërkuar KQZ-së që kjo e fundit, të kryejë verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të z. Elvis Roshi me detyrë Kryetar i Bashkisë Kavajë, sepse ka rezultuar që nga të dhënat e paraqitura në formular nga subjekti deklarues, ka paqartësi dhe mungesë informacioni.
5. Struktura e posaçme tashmë në zbatim të ligjit për dekriminalizimin, ka nisur verifikimin e të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, ku përfshihet edhe verifikimi i të dhënave në formularin e vetëdeklarimit të z.Elvis Roshi.

“Çdo rezultat i verifikimit nga struktura e posaçme do t’i relatohet KQZ-së, e cila ka kompetencën e vendimmarrjes në zbatim të dispozitave të ligjit për dekriminalizimin.”- thekson zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Formulari i Vetedeklarimit
Kryetari i Bashkisë së Kavajës shkruan në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin se ai është arrestuar në Gjermani, por nuk i kujtohet arsyeja pse ka ndodhur kjo. Elvis Rroshi, i cili prej vitit 2011 është kryetar i Bashkisë Kavajë, fitoi një mandat të dytë më 2015-n për të njëjtin post. Në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar zyrtarisht në institucione dhe të publikuar nga organi zyrtar i Partisë Demokratike, gazeta “RD”, Rroshi pranon se ka ndryshuar emrin, nga Ervin në Elvis. “Emrin e kam pasur Ervin, por e kam ndryshuar në Elvis”, thotë Rroshi në formularin e dekriminalizimit. Ky ndryshim ka ndodhur në nëntorin e vitit 2002, pra 14 vjet më parë dhe për këtë ka edhe vendim të Këshillit Bashkiak të Kavajës. Në formular nuk jepen arsyet se përse Rroshit i është dashur të ndryshojë emrin. Nga formulari kuptohet se ky ndryshim i emrit ka ndodhur pas një sërë ndjekjeve dhe dëbimeve që Rroshi ka pasur në Munih të Gjermanisë. Pyetjes në formular, nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Rroshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Munihut në Gjermani, kurse shton se nuk e mban mend se përse është gjykuar.
Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Rroshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Munihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar. Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij, Rroshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nga Rroshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Munihu dhe shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Edhe në këtë rast, Rroshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.

Reagimi i Rroshit
Pas publikimit te formularit, reagon Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Ai thotë se telashet e tij me policinë dhe drejtësinë gjermane kishin ardhur pasi ishte kapur si emigrant i paligjshëm. Rroshi reagoi dje pas shkrimeve të publikuara në media, pasi gazeta e Partisë Demokratike, “RD” i publikoi formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin. Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, thotë se si shumë shqiptarë, edhe atij i është dashur të emigrojë në vitet ’90, pasi ishin vite tejet të vështira nga ana ekonomike. “Shumë prej nesh i janë drejtuar emigracionit për të pasur mundësi më të mira për vete dhe për familjet tona. Por, sigurisht që të punoje me leje të ligjshme në vendet e Bashkimit Europian nuk ishte e lehtë, thuajse e pamundur.

Rroshi është edhe kryetar i PS-së së Kavajës, ndërsa PD-ja e ka akuzuar vazhdimisht 41-vjeçarin Rroshi si person me precedentë penalë i dënuar më parë për drogë dhe prostitucion në Itali.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: