TIRANE – Një ndër regjisorët më të njohur shqiptar, Fatmir Koçi vjen si një triumfues me plot katër çmime të rëndësishme me filmin e tij të titulluar “Elvis Walk Home” ose “Elvisi kthehet në shtëpi”.

I ftuar në emisionin “Chick” të Fjodora Dorës në News 24 ai tregon për eksperiencat e tij të jashtëzakonshme, që ka përjetuar gjatë disa festivaleve të rëndësishëm. Në fakt bëhet fjalë për temë universale, historinë e disa djemve jetim në Ballkan, të cilët takohen dhe përballen me një imitues të Elvis Presley-t.
Filmi sjell në vëmendje fatin e disa fëmijëve jetimë, të cilët nga luftërat Ballkanike në vitin 1999 mbetën në rrugë. Rolet në film regjisori ia ka besuar aktorëve të njohur, por dhe emrave të rinj, një pjesë e aktorëve në film janë dhe fëmijët. Mickey luhet nga aktori Dritan Kastrati, i cili ka luajtur edhe në dy filmat e mëparshëm të Koçit, si “Amsterdam Express” dhe “Pit Stop Mafia”.

Ngjarja e tyre kalon nëpërmjet disa peripecive dhe situata interesante që ka sjellë një film që ka bërë që juritë e disa prej festivaleve të rëndësishme të mendojnë se ai ka merituar çmime vërtetë premtuese në kinematografinë shqiptare. Një prej të cilëve është edhe çmimi i dhënë në ‘Harlem international film festival” ,ku u nderua filmi më i mirë i këtij festivali.

Premiera e filmit “Elvis Walks Home” e regjisorit Fatmir Koçi, me skenar nga Jonathan Preece u shfaq në gusht të vitit të kaluar në festivalin e filmit në Montreal, Kanada.

“Elvis Walk Home” ka nisur një rrugëtim shumë të suksesshëm, duke merituar disa çmime në festivale të rëndësishme, në SHBA si në ‘Harlem international film festival” apo “Arizona Film Festival” , apo në “Tiburon” i cili e vlerësoi atë me një çmim humanitar pikërisht për skenarin e tij, gjithashtu edhe aktori kryesor Dritan Kastrati është vlerësuar me çmim një një festival i cili nuk është i përmasave të mëdha ‘Film makers” në Londër.

Kinemaja ka marr një pamje edhe dramatike edhe herë-herë atë llojin e artit të saj, me të cilën përcjell mesazhe dhe estetikën e vet. Sot në fakt është konfuze dhe në një urë zhvillimi tjetër. Në qoftë se filmi bëhet komercial dhe merr çmime të cilat me të vërtetë nuk i shërbejnë, nuk janë për atë lloj drame apo për atë lloj kinemaje, unë nuk do të isha aty.
Unë e çmoj shumë faktin që “Elvis Walk Home” u mirëprit në SHBA. Në Europë nuk u prit me interes, me entuziazëm përveç se në Londër edhe në Madrid. Për të ishte me të vërtetë e rëndësishme por edhe për mua. Në SHBA duke qenë jo vetëm figura e një imituesi të Elvis Presley por edhe drama e fëmijëve. SHBA është e ndarë në dy fëmijë me armë dhe fëmijë pa armë, ne e dimë se çfarë ndodh në shkolla ku dikush hyn me armë e godet për të vrarë fëmijë. Dhe për këtë në shumë shtete të Amerikës mirëpritet, që fëmijë me armë për të mbrojtur vetveten dhe në fund ai i jep kitarën dhe i thotë me këtë mund të pushtosh botën, por me armë mund të vritesh i thotë imituesi i Elvisit personazhit kryesor.

Pra është një film me një skenar dhe një temë shumë delikate për t’u prezantuar nëpër botë. Filmi u prit shumë mirë edhe në Kanada. Gjithashtu filmi u vlerësua edhe në Meksikë në një festival të vogël, ku mori “Palmën e artë”. Pse e kanë çmuar filmin?! Janë dy gjëra skenari dhe stili i filmit. Unë doja të bëja një film shumë të thjeshtë, ku e gjithë kjo dramë e fëmijëve të përçojë shumë thjeshtë.

A mendon se ngjarjet Ballkanike tanimë e kanë mbushur ciklin dhe Europa tashmë kërkon t’i largohet kësaj të shkuare të afërt?
Po është e vërtet, është e shkuar e afërt të cilën ata duan ta harrojnë. E gjithë bota është e ndërtuar me njerëz që kanë lëvizur. Tendenca në Europë për ta refuzuar këtë lloj filmi këtë, lloj drame filloi keq por tashmë ka vende që kanë filluar të tregojnë interes. Nuk dihet nëse festivalet ta pranojnë apo jo filmim. Ne kishin një produkt me cilësi të lartë, të skrukturuar sic duhet, ndërsa tema ishte shumë delikate. Europa për të ardhmen e afërt për kohën që po jeton po e shtyn idenë e të huajit deri aty sa po dëmton vetveten.

Flasim për një film që ka historinë e një djaloshi i cili kërkon t’i largohet luftës, por lufta e çon në qendër të saj. Po ashtu është edhe një grup fëmijësh jetim nga Ballkani si Sarajeva, Kosova disa cigan etj përbën një lloj mozaiku, përbënin dramën.
Jonathan Preece më ka treguar shumë vite më vonë se nga e ka marr idenë për filmin, “Elvis Walk home”.

Në 2014 kemi bërë premierën e Amsterdm Expres dhe kur ai ishte në Tiranë në një restorant afër Dajtit ka marr idenë kryesore. Ai pa disa djem të vegjël që kishin një poster të Elvis Presley në një lavazh dhe në atë moment mbaj mend se shënoi diçka dhe shumë kohë më vonë më tregoi se aty i kishte ardhur ideja.

Dritan Kastrati ka shkëlqyer në këtë rol.
Edhe unë jam i befasuar po e dija dhuntinë e tij dramatike. Dritani është aktor dramatik dhe kjo është arma e tij më e fortë. Gjithashtu ngjarja e jetës së tij ngjan shumë me interpretuesin e Elvisit. Ai në moshën 11-vjeçare ikën nga Shqipëria me gomone ku për pak u mbyt në det dhe pas 3-4 ditësh përfundon në Angli. Aty ai merr mbrojtje dhe bëhet qytetar britanik dhe tregon një gjë gati tragjike. Kur ishte kthyer pas 8 vjetësh në Tiranë nëna me babanë e prisnin në aeroport, ai nuk kishte njohur nënën. Kishte lënë pas një nënë të re të bukur dhe kishte gjetur një nënë të transformuar nga ikja e djalit. Tashmë Dritani është 30 vjeç.
Si regjisor si ka qenë puna me fëmijët?
Kishte momente kur ata ia filluan lojës, apo kur grindeshin me njëri tjetrin dhe unë këtë gjë nuk e përcillja dot lehtë. Domethënë lojën në punë unë nuk e doja. Unë i ndaja kështu 50% të tyre kanë qenë profesionist dhe 50% e tyre fëmijë që gati më kanë çmendur. Xhirimet janë bërë në Shën Gjergj dhe në Gjadër. Një ditë kemi xhiruar në cirkun e Tiranës, një ditë tjetër në Sarajevë. Në Gjadër kishte dhe ish-baza ushtarake të ushtrisë shqiptare.
Që nga premiera e filmit dhe pak edhe mbushet një vit, si kanë qenë pritshmëritë e tua, a je i kënaqur me atë që ka ndodhur ?
Nga ana komerciale nuk mund të them që ka ndodhur ajo që pritej, ndoshta filmi mund të shihet ndoshta jo këtë nuk e di jam i sigurt që mund të ndodhin të dyja. Uroj që televizionet e mëdha në Europë të kenë interes, besoj që diçka do të ndodhë. Ndërsa në vendet e Ballkanit nuk kemi pasur asnjë shitje, natyrisht mund të jetë i paragjykuar, lufta serbo kroate, ajo boshnjake nuk e mirëpresin këtë lloj historie të tyre. Sikundër ka ndodhur dhe disa herë në filmat që unë kam bërë në kohë lineare sepse njerëzit nuk duan ta shohin vetveten të përfshirë aty.
Ka ende festivale për të marr pjesë?
Po, besoj në Mid Valley, në Kaliforni, në New York por edhe në Torino por jo në festivalin e madh të saj sepse nuk e zgjodhën, në Brazil ndoshta përsëri në Londër.
A jeni duke menduar për një skenat të ardhshëm?
Unë po adaptoj romanin ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit. Është një roman i shkruar në 1972 dhe kam shumë vite që e mendoj këtë gjë që prej viteve 1996-1997. Është një roman ku shteti dhe individi dhe individi me veten e tij krijon një raport aq sa të qenë dhe aq sa të paqenë. Ia kam kërkuar të drejtat familjes së autorit dhe vajza e Dritëroit, Elona u tregua e gatshme të më delegojë.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb