Zbardhet email-i që avokati i palës shqiptare Tim Schreiber, i kompanisë Clifford Chance i ka dërguar Avokaturës së Shtetit, pas disa akuzave të bëra në media dhe më pas të marra nga Partia Demokratike për implikimin e ish-kryeministrit Ilir Meta në çështjen CEZ-DIA, cka coi në kërkesën e këtyre të fundit për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

“Referuar emailit tuaj datë 27 gusht 2015 (njoftimi i shpërndarë nga zyra e shtypit e kryeministrit). Në kundërshtim me çka disa gazetarë janë përpjekur të spekulojnë OSHEE në dosjen e depozituar në arbitrazh kundër DIA ltd (Ishujt Virgin Britanik) nuk e ka përmendur zotin Meta si një përfitues transfertash të parave apo praktika të tjera korruptive, në lidhje me marrëveshjen e mbledhjes së borxhit mes OSHEE dhe DIA” shkruan në emailin e tij Tim Schreiber.

Zyra e shtypit e kryeministrit në datën 3 shtator, pas artikullit të publikuar nga reporter.al nxorri një deklaratë ku hodhi poshtë pretendimet e medias dhe më pas të marra nga Partia Demokratike për implikim të zotit Meta në çështjen CEZ.

Por duket se “spekulimi” ka ardhur nga dëshmia e personazheve të përfshira në këtë çështje, dhe të analizuara në mënyra të ndryshme në media. Siç u vërtetua nga dëshmia e Hejcek e publikuar tashmë në media, personi që ka prezantuar Hejcek me Kastriot Ismailajn, ka qenë ish ambasadori i Shqipërisë në Pragë Qazim Tepshi, i cili ka deklaruar se zoti Ismailaj ka njohje me Ilir Metën dhe Sali Berishën. Dhe për më tepër, zoti Tepshi, Ismailaj dhe vetë Hejcek, kanë takuar me Bujar Nepravishtën, kryetarin e ERE në atë kohë dhe këshilltarin e tij Ahmeti, për të vendosur për të gjithë procedurat.

Duket se në gjithë këtë histori, janë të përfshirë zyrtarët demokratë të emëruar nga ish kryeministri Sali Berisha. Dhe siç rezulton, kreu i PD, po përpiqet të përfshijë ish zyrtarët e PD, ndoshta për ta përdorur si një luftë politike pastrimi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: