TIRANE- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë, Arben Gazioni zhvilloi sot një takim në Ministrinë e Bujqësisë së Federatës Ruse, Agjencinë e Kontrollit Veterinar dhe Fitosanitar, me qëllim zhbllokimin e embargos ruse për eksportet e produkteve bujqësore shqiptare në tregun rus.

Në një publikim të Ambasadës Shqiptare në Rusi, në rrjetin social “Facebook” bëhet e ditur se, qëllimi i takimit konsistoi në hapjen e tregtisë në fushën e bujqësisë mes dy vendeve, embargo e cila është vendosur nga fundi i vitit te kaluar.

Sipas postimit në rrjetin social “Facebook”, palët ranë dakord të përshpejtohen hapat për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke nënshkruar fillimisht një Protokoll dypalësh në fushën e mbrojtjes veterinare dhe fitosanitare.

Agjencia Federale Ruse për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare vendosi të ndalojë importin e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, nga data 8 dhjetor 2014, me argumentin se, mallrat shqiptare ishin shoqëruar me një certifikatë fitosanitare të falsifikuar në një shtypshkronjë të një shteti tjetër të BE-së, nga i cili Rusia kishte vendosur të mos importonte si përgjigje ndaj sanksioneve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb