Në shtëpinë zikaltër janë afruar mjaft lojtarë dhe të tjerë pritet të mbërrijnë deri në përfundim të kësaj merkatoje vere. Ndër të tjerë edhe dy mbrojtës, Dalbert nga Nice dhe Scriniar nga Sampdoria. Por pavarësisht këtij fakti, largimet e fundit kanë lënë boshllëk në prapavijën e klubit italian.

Medel kaloj në Turqi te skuadra e Beshiktash dhe Jeison Mourillo sot do ti bashkohet në Spanjë skuadrës së Valencias, ndërsa në ikje është edhe Andrea Rranokia për të cilin flitet se do rikthehet në “Premier League”. Për këto arsye Interi është në emergjencë për të siguruar një qendërmbrojtës i cili është zgjedhja e parë për të zëvendësuar Mirandën dhe Scriniar.

Pas thashethemeve për dy mbrojtësit e Manchester City, Mangala dhe Otamendi, sot “Sky Italia” raporton se Interi ka nisur bisedimet për të transferuar në Milano futbollistin gjerman me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafin.

Mustafi i cili u ble sezonin e kaluar për 41 mln euro nga Valencia nuk e ka më vendin e sigurtë te “topçinjtë” pas rikthimit nga dëmtimi të Mertesaker dhe mund të joshet drejt një aventure të re në “Seria A” me Interin.

Kujtojmë se më parë Mustafi ka qenë pjesë e elitës së futbollit italian ku ka milituar me ekipin e Sampdorias.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb