TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi se së shpejti do të emërohen drejtuesit e rinj në burgje, aty ku aktualisht drejtojnë zëvendësuesit.

Me sa duket kryeministri do ndjekë të njëjtën traditë si me prefektët, ku ua besoi drejtimin ushtarakëve të karrierës, pasi u shpreh se drejtuesit e rinj në burgje duhet të jenë persona që kanë një karrierë ushtarake.

Në këtë drejtim Rama paralajmëroi edhe deputetët e qarkut të Shkodrës, se burgjet nuk ishin për tepsinë e PS-së, duke iu përgjigjur kështu edhe akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha që pak ditë më parë publikoi denoncimin e një qytetari që thoshte se në Shkodër emërimet po bëhen me listë votuesish nga deputetët Stërkaj e Doshi.

“Në këtë pikë dua jo mirëkuptimin, por qartësinë e të gjithë deputetëve në radhë të parë, që burgjet nuk janë zyra partie dhe ato që i kemi thënë njerëzve atje unë ia kam thënë me bindje se nuk duam ta marrim tepsinë për vete, por ta çojmë tepsinë për skrap. Nuk duam ta marrim tepsinë nga oborri i LSI e ta çojmë në oborrin e PS. Rreth 130 vetë kanë shkuar për ndjekje penale në burgje e të tjerë do shkojnë në ndjekje penale. Edhe në burgun e Shkodrës, gjithë përzgjedhja është bërë dhe do përfundojë përmes testimit të të gjithë atyre që përfundojnë në Akademinë e Sigurisë dhe kështu do kemi një sistem burgjesh të sigurt, evropian, jo sistem tepsie”,- u shpreh Rama.
(m.a/BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb