TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla ka folur në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për ndryshimet e fundit në qeveri, largimin e Besa Shahinit dhe ardhjen e Evis Kushit, si dhe për ndryshime të mundshme në të ardhmen.

I pyetur nëse ka ndikuar në përzgjedhjen e Kushit, duke qenë drejtues politik i qarkut të Elbasanit, Balla tha se askush nuk ndikon në përzgjedhjet e kryeministrit.
“Është figurë politike, është deputete prej dy mandatesh. Për PS, arsimi mbetet një prej prioriteteve madhore dhe këtë e kemi konfirmuar me vëmendjen dhe mbështetjen buxhetore. Shqipëria ka një nivel të lartë të GDP për arsimin pa futur pjesën shtesën me paktin për universitetin, ndaj në një sektor të tillë vendosja e një lidershipi politik tregon se sa të rëndësishëm e konsideron PS.
Askush nuk ndikon në përzgjedhjen që vetë kryeministri bën brenda familjes sonë politike”, tha Balla.

Sa i përket lëvizjeve të tjera në qeveri, numri dy i PS-së tha se nuk sheh arsye për ndryshime dhe se ato janë bërë në momentin e duhur. Balla foli për një mandat të tretë por tha se vendimmarrja i takon kryeministrit.

“Unë e kam thënë, padyshim që gjithmonë, herë pas here kur konsiderohet për një hov të ri në krye të një ministrie kryeministri Rama ka vlerësuar të bëjë ndryshime dhe pse unë mendoj se në këta sektorë kemi personat e duhur në momentin e duhur të qeverisjes.
Nuk është larg momenti kur të marrim mandatin e tretë dhe sigurisht në mandatin tjetër mund të kishte ndonjë ndryshim tjetër megjithatë kjo vendimmarrje i takon kryeministrit.
Ne kemi një plan, një program dhe një matricë vlerësimi të performancës për çdo fushë që mbulon secila prej ministrive. Pas mbledhjes së grupit parlamentar kemi vendosur të krijojmë një kanal virtual komunikimi me anëtarësinë dhe qytetarët.
Ne kemi thënë që nga vitit 2017 nuk jemi në ndonjë aleancë me partitë, ne jemi në aleancë me qytetarët.
Platforma e vlerësimit po ngrihet dhe në çdo moment që kryeministri do vlerësojë në konsultim me qytetarët dhe grupin parlamentar, padyshim që çdo hap do merret në kohën e duhur por jemi në një situatë të vështirë të një pandemie që kërkon fokus të përditshëm. Ndaj e vlerësoj dhe për momentin e gjetur. Nuk mund të thotë dikush që ministrja e zëvendësua në një moment të papërshtatshëm. Viti shkollor filloi me sukses prej saj.
Unë nuk gjej arsye të mendoj për ndryshime të thella në qeveri.
Nëse do bënim një skaner në çdo ministri, në të gjithë sektorët është bërë një punë e shkëlqyer. Ndryshimet në qeveri janë një thashethem i vazhdueshëm në media. Nuk shoh arsye për ndryshim në ekipin e ministrave”, deklaroi Balla.

Biseda u ndal dhe tek zërat për largimin nga qeveria të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Balla e cilësoi ministër me shumë suksese duke numëruar disa prej arritjeve sipas tij. Ai tha se kryeministri e ka çliruar nga të qenit drejtues politik i një qarku për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ministri Lleshaj është një ministër me shumë sukses në krye të kësaj ministrie. Prej 2 vitesh, plotësohen në tetor, në krye të kësaj ministrie dhe ka përballuar me sukses disa prej sfidave dhe rezultatet e deritanishme në të gjithë indikatorët dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën e mbulimit dhe organizmit të Policisë së Shtetit. Ministri Lleshaj ka qenë së fundi në Shkodër do të jetë nesër në Elbasan për të promovuar një mënyrë të re të qasjes së policisë. OFL është një prej operacioneve që nuk është ndërmarrë kurrë në 30 vite.
Gjej rastin ta vlerësoj dhe mbështes. Asnjë ministër nuk punon vetëm në atë detyrë, është një mbështetje efektive e kryeministrit por janë dhe të gjitha ekipet e tjera që kompozojnë suksesin e përbashkët. Fakti që në Ministrinë e Brendshme nuk do të jetë një drejtues qarku politik por një ministër që do të jetë i fokusuar në procesin e administrimit zgjedhor është i rëndësishëm.
Qeveria jonë është tejet politike. Zoti Lleshaj ka qenë deri pak kohësh drejtues politik i një qarku. Në kushtet e zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri e ka lehtësuar z. Lleshaj nga të qenit drejtues politik”, deklaroi Balla.

Sa i përket shtyrjes së Asamblesë së PS, Balla tha se kjo lidhet me situatën e pandemisë.
“Nuk ka lidhje me ndryshimet. Sipas ligjit ndalohen grumbullimet. Sa kohë kemi ndaluar dasmat apo grumbullime të tjera padyshim që dhe në kontekstin e grumbullimeve politike, duke konsultuar rekomandimet e ekipit të ekspertëve… Por kjo nuk ka afektuar punën e kryesisë së PS. 12 drejtuesit në qarqe së bashku me kryeministrin kanë filluar punën. Jemi duke analizuar dhe vlerësuar situatën dhe gjendjen në territor të partisë. I kemi dorëzuar kryeministrit një vlerësim të performancës dhe shërbimeve ndaj njerëzve. PS nuk ka aleanca me partitë por me njerëzit e zakonshëm dhe vetëm kundrejt tyre japim llogari. Unë kam besimin që jo vetëm do konfirmojmë numrin 74 të mandateve por do shtojmë mbështetjen dhe numrin e deputetëve të PS”, deklaroi ai.

Balla foli edhe për koalicionet parazgjedhore. Ai theksoi se hapja e listave imponon në mënyrë direkte formësimin e koalicioneve në një sigël, jo sipas ndryshimeve të 2008, të cilat i quajti një shpikje allashqiptarçe.

“Më 30 korrik kuvendi i ka hapur rrugën një faqeje të re të marrëdhënieve mes kuvendit dhe qytetarëve. Nëse nga 2009, zgjedhjet e para me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 në tre legjislatura qytetarët shqiptarë kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre duke votuar vetëm për partinë politike aktualisht me ndryshimet e reja kushtetuese, qytetarët do të kenë dy vota, një për partinë dhe një votë për cilin prej kandidatëve nga partia që ata preferojnë do kishin dëshirë të ishte përfaqësuesi i tyre në kuvend.

Në këtë kontekst edhe formësimi i koalicioneve ka ndryshuar. Pra, shpikja alla shqiptarçe në ndryshimet e 2008 që krijoi koalicione në formën e një treni e cila nuk gjendet asgjëkundi në botën demokratike në kushtet e hapjes së listave dhe këtë duhet ta kuptojmë dhe në aspektin teknik e politik, është e pamundur me hapjen e listave të ruhej në të njëjtën formë. Nuk do të thotë që ndryshimet kushtetuese kanë bllokuar formësimin e koalicioneve parazgjedhore, nuk është e vërtetë, është një alibi që tirret. Koalicionet mund të ngjizen dhe mund të dakordësohen mes palëve me kushtin që çdo koalicion të ketë një listë të përbashkët kandidatësh, nën siglën e një subjekti zgjedhor. Është madje dhe më efektive. Më duket alibi nga ana e lidershipit të opozitës rrugore insistimi në diçka që është bërë, është kryer. Nuk mund të thuash që jemi kundër ndaj kësaj qasje për koalicionet kur ke pranuar hapjen e listave. Hapja e listave imponon në mënyrë direkte këtë lloj qasje në formësimin e koalicioneve”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb