Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës njofton se fillimin e javës që vjen nis aplikimi për fazën e parë të konkurrimit për të zënë një vend pune në sistemin arsimor parauniversitar në kryeqytet. Afati i fundit i dorëzimit të dosjes për mësuesit e Tiranës është data 30 nëntor 2015.

Kandidatët që do të dorëzojnë dosjen, pas vlerësimit të saj do hynë në fazën e dytë të konkurrimit për mësues, që është testimi “Mësues për Shqipërinë”, i cili pritet të bëhet në fund në muajin dhjetor, por ende nuk është përcaktuar data zyrtare. Të drejtën për t’u futur në këtë testim e kanë edhe kandidatët që hynë në testimin “Mësues për Shqipërinë 2014” dhe duan të përmirësojnë rezultatin, por edhe ata duhet të dorëzojnë dokumentacionin e mëposhtëm.

Aplikimi & Dosja
Në udhëzimin nr.38 të MAS, emërimi i mësuesve bëhet nëpërmjet konkurrimit, i cili ka tri faza. Faza e parë është konkurrimi me dosje, ku MAS ka përcaktuar 13 dokumente dhe kritere që kandidatët duhet të plotësojnë. Drejtoria Arsimore e Tiranës duke filluar nga dita e hënë deri në datë 30 nëntor pret dorëzimin e dokumentacionit. “Në zbatim të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit nr.38.datë 06.10.2015 ‘Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar’, ju njoftojmë se për fazën e parë të konkurrimit duhet të dorëzoni dokumentacionin e mëposhtëm brenda afateve të pranimit 16.11.2015-30.11.2015”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës.

Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të zënë një vend pune në arsim dhe më pas t’i nënshtrohen testimit “Mësues për Shqipërinë”, duhet patjetër të dorëzojnë pranë drejtorive arsimore këto dokumente: Curriculum Vitae (modeli sipas shtojcës nr.1 në udhëzim nr.38), raport mjeko-ligjor, deklaratë për gjendje gjyqësore, vërtetim të qendrës së banimit, fotokopje të diplomës dhe vërtetim i listës së notave të studimeve të larta (cikli I+II dhe DIND), të noterizuar, fotokopje certifikatave të trajnimeve, fotokopje e dëshmive të shkallëve të kualifikimit, fotokopje e noterizuara të dëshmive të kualifikimeve shkencore, botime, kumtesa dhe publikime në fushën e edukimit, dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj, (bashkangjitur shkrimit tabela me 13 dokumentet që duhen dorëzuar).

Në udhëzim përcaktohet se nëse një dosje nuk i ka të plota këto dokumente, s’kualifikohet nga të gjitha fazat e konkurrimit. Komisioni i vlerësimit brenda pesë ditëve nga mbyllja e afatit të aplikimit bën vlerësimin e dosjeve të kandidatëve. Kandidatët që janë kualifikuar në konkurrimin me dosje kanë të drejtën që t’i nënshtrohen testimit “Mësues për Shqipërinë”.

Testimi
Sipas udhëzimit nr.40, “Për organizimin e testimit të kandidatëve për ushtrimin e profesionit të mësuesit në arsimin parauniversitar”, testimi i kandidatëve për ushtrimin e profesionit të mësuesit në arsimin parauniversitar zhvillohet në një ditë dhe në të njëjtën orë në të gjitha qendrat e testimit. Data dhe ora e zhvillimit të testimit do të përcaktohet nga MAS.

Testi ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionit arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës. Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisionet e vlerësimit të testeve.

Vlerësuesit e testeve janë të trajnuar dhe certifikuar nga IZHA. Komisioni vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim. Pikët e kandidatit për secilën pjesë të testit vendosen në krye të fletë-testit dhe testi nënshkruhet nga të dy vlerësuesit. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (30 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (40 pikë).
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb