*Ndryshon procedura e emërimit të mësuesve, për shkollat e mesme dhe 9-vjeçare

TIRANE-Emërimi mësuesve të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, duke nisur nga ky vit i ri shkollor do të ndryshojë.

Të gjithë mësuesit që do të shpallen fitues pas tri fazave të konkurrimit, do të jenë 1 vit në provë.

Pra, edhe pse fitues, të emëruar me kontratë të mirëfilltë pune dhe me rrogë, pas 1 viti, do të jepet përfundimisht një vendim final, nëse kandidatët do të vijojnë ushtrimin e këtij funksioni ose do të largohen.

Por, që kjo të ndodhë, në përfundim të kontratës individuale, do të kërkohet vota e 4 palëve, përkatësisht ajo e: drejtorit të shkollës, të këshillit të prindërve dhe të komisionit të shërbimit psiko-social, grup pune që ngrihet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore.

Sipas udhëzimit, pjesë e komisionit janë: Një përfaqësues i njësisë arsimore vendore; katër mësues me kualifikim “Mjeshtër”; Dy përfaqësues të Këshillit të Prindërve dhe një punonjës psiko-social nga e njëjta njësi arsimore vendore. Pas kësaj, do të jetë drejtuesi i drejtorisë arsimore rajonale përkatëse, ai i cili do të bëjë emërimin definitiv të mësuesit, në bazë të vlerësimit që do të bëjë shumica.

“Në rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës së provës, drejtori i institucionit arsimor ndërpret marrëdhëniet e punës me mësuesin”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit mbi “Procedurat e Lëvizjes Paralele, Emërimit dhe Largimit nga Puna të Mësuesit në Institucionet Arsimore Publike të Sistemit Arsimor Parauniversitar”.
Kjo është një prej risive që parashikon udhëzimi i ri i MAS, ndërsa një tjetër është edhe procesi i konkurrimit, që si asnjëherë tjetër do të zhvillohet në tri faza: Konkurrim me dosje; Konkurrim nëpërmjet testimit “Mësues për Shqipërinë” dhe Zgjedhje e vendit të punës.

Por, si do të kryhet procesi i shqyrtimit të dokumenteve ?

Kandidatët e interesuar për të të ushtruar profesionin e mësuesit në fazën e parë duhet të dërgojnë në njësitë arsimore vendore, ku dëshirojnë të punësohen dosjen e aplikimit për konkurrim.
Dosja e aplikimit dërgohet në njësinë arsimore vendore përmes shërbimit postar, brenda afateve të përcaktuara nga njësia arsimore vendore.

Kandidati, dosja e të cilit nuk përmban dokumentet e detyrueshme skualifikohet nga të gjitha fazat e konkurrimit”, sqarohet në udhëzim.

Sipas tij, pas dërgimit të dosjeve me dokumentacionin përkatës, 5 ditë pas përfundimit të afatit, komisioni i posaçëm vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët, harton listën për çdo profil/lëndë dhe rendit kandidatët sipas pikëve të grumbulluara nga vlerësimi i dosjeve.

“Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës, ndërsa lista bëhet publike nëpërmjet faqes zyrtare të njësisë arsimore përkatëse, ku kandidatët identifikohen me kod personal. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit në njësinë arsimore vendore, brenda tri ditëve punë nga dita e shpalljes lidhur me këtë vlerësim dhe renditje”, shpjegohet në udhëzimin e Arsimit për emërimet e mësuesve.
Për të marrë pjesë në fazën e dytë të konkurrimit, pra në programin “Mësues për Shqipërinë” do të testohen vetëm ata kandidatë për mësues, të cilët do të shpallen fitues në fazën e parë të konkurrimit nga vlerësimi i dosjes.
Ndërsa për sa i takon aplikimit për pjesëmarrje, mënyrës së testimit dhe vlerësimit pritet të përcaktohen në udhëzimin tjetër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Komisioni, brenda pesë ditëve pune pas marrjes së rezultateve të testimit ‘Mësues për Shqipërinë’ nga IZhA/MAS, hartohet lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë dhe bëhet renditja e kandidatëve sipas pikëve të grumbulluara në testim. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës. Komisioni, pas përfundimit të afateve të ankimimit, bën renditjen e kandidatëve sipas pikëve totale që nxirret nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin ‘Mësues për Shqipërinë’.

Kjo renditje e përgjithshme bëhet për çdo profil/lëndë, sipas totalit të pikëve të grumbulluara, brenda ditës në mjediset e njësisë arsimore vendore dhe në faqen zyrtare të saj.

Sa i përket përzgjedhjes së vendit të punës, të drejtën për të zgjedhur vendin për vendet e lira të punës, f do ta kenë ata mësues që janë renditur me numër më të madh pikësh.

Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit, kjo paraqitje e preferencave do të bëhet në prani të drejtorëve të institucioneve arsimore ku janë vendet e lira të punës.
Në rast se refuzojnë më shumë se tri vende, kandidatët hiqen nga lista e renditjes. Për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar të njoftojë në fillim kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme apo të përkohshme.

Për vendet e lira me ngarkesë mësimore të pjesshme apo të përkohshme, lidhet kontratë e përkohshme pune ndërmjet drejtuesit të institucionit arsimor dhe kandidatit”, thuhet në udhëzimin e MAS mbi procedurat e emërimit të mësuesve.

Sipas tij, vendet e lira të punës, të krijuara në përfundim të vitit mësimor, u ofrohen në fillim mësuesve që mbeten pa ngarkesë mësimore ose që kërkojnë lëvizje paralele brenda njësisë arsimore vendore.

Gjithashtu, çdo kandidat ka të drejtën të ankimojë vendimet e komisionit në secilën prej procedurave të zhvilluara për vendet e lira të punës për pozicionin e mësuesit, brenda tri ditëve e më pas kjo shqyrtohet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore, në bashkëpunim me komisionin përkatës, ndërsa vendimi me shkrim i dërgohet kandidatit nga DAR/ZA.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: